Hoxha: AShMAA agjenci partiake e VMRO-DMPNE-së! Besa i kërkon DPMNE-së të dakordohen për ndarjen e hapësirës mediale

Sekretari Gjeneral i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha, përmes një konference për media ka akuzuar drejtorin e Agjencisë për Shërbime Mediatike, Audio dhe Audiovizuele, Zoran Trajçeskin, se me veprimet e tij është duke u vënë në shërbim partiak të regjimit të kaluar VMRO-BDI, duke tentuar që në çdo formë dhe mënyrë ta dëmtojë Lëvizjen Besa.

“Edhe përkundër faktit se KSHZ i është drejtuar Lëvizjes BESA me njoftim për të përgatitur plan medial për përfaqësimin në mediume përsëri Agjencioni për Shërbime Mediale, Audio dhe Audiovizuele nuk ka respektuar ligjin dhe njoftimin e KSHZ institucioni ky përmes të cilit bëhet pagesa e hapësirës mediale. Urdhëresa e fundit që ka lëshuar ky agjencion, për ndarjen e minutazhit për partitë politike, edhe pse në përshkrimin thotë se 6 minutat i takojnë dy partive më të mëdha opozitare, të cilat në zgjedhjet e fundit për deputetë kanë fituar më shumë vota, agjencioni partiak i VMRO-DMPNE-së, urdhëron mediumeve që gjithë 6 minutat t’i ndahen partisë e cila e ka zgjedhur Zoran Trajçeskin në postin e drejtorit” deklaroi Sekretari Gjeneral i Besës.

Ai në konferencë para gazetarëve i drejtoi pyetje publike Trajçevskit ku e pyeti se cila është partia e dytë opozitare nga zgjedhjet e fundit parlamentare? Më tej, duke iu drejtuar publikisht Trajçevskit, tha se me parametrat e tij matës të interpretimit të ligjit ne mund të thuhet se VMRO-DPMNE nuk është parti opozitare sepse ajo për momentin është e përfaqësuar në qeveri me ministër dhe zëvendës ministra.

“Agjencioni me të cilin udhëheq kuadri i VMRO-DPMNE, ka bërë shkelje të rëndë duke mos respektuar ligjin dhe duke sjellë urdhëresë në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, dhe për këto shkelje Lëvizja BESA ka ngritur aktpadi penale ndaj agjencionit dhe personave kompetent. Për këtë shkelje të agjencionit që udhëheq Trajçeski, Lëvizja BESA me shkresa zyrtare ka njoftuar gjithë faktorin ndërkombëtar në vend dhe kemi kërkuar të monitorohet puna e agjencionit dhe mos të tolerohet që mbetjet e regjimit të kaluar të krijojnë situata konfliktuoze, të panevojshmë për një shtet i cili do fillojë negociata për antarësim në BE”, tha Hoxha.

Sekretari i përgjithshëm i Besës po ashtu tregoi se dje partia e tij i është drejtuar me shkresë zyrtare VMRO-DPMNE-së duke i kërkuar që gjatë ditës së sotme të takohen dhe të merren vesh për të ndarë hapësirën mediale konform shkresës që kemi marrë nga KSHZ.

“Në rast se VMRO-DPMNE nuk i përgjigjetftesës tonë, ne do njoftojmë KSHZ që me vendim të limitojë buxhetin medial për VMRO-DPMNE, dhe me miratimin e këtij vendimi VMRO-DPMNE duhet t’i jep përgjigje gjitha mediumeve që do dëmtohen nga manipulimi që i ka pregatitur përmes agjencionit të udhëhequr nga Zoran Trajçeski” pohoi Hoxha.

Deklaratën e tij për shtyp e mbylli duke thënë se për fat të keq edhe njëherë po vërtetohet se regjimi i kaluar është ende i instaluar në sistemin e vendit, prandaj, siç shtoi, “këta njerëz dhe kjo mendësi duhet të dënohen me votë më 15 korrik, dhe mos lejohet që fatin tonë dhe të fëmijëve tonë ta marrin në dorë njerëz që nuk respektojnë ligjin, vendosen mbi ligjin, krijojnë haos dhe nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”.

Kujtojmë se ditë më parë, kur Lëvizja Besa njoftoi për kallëzimin penal të ngritur kundër Agjencisë për Shërbime Mediale, Audio dhe Audiovizuele, nga kjo e fundit reaguan duke shkruar se deklaratat për kallëzime penale nuk mund t’i kuptojnë ndryshe veç se si “përpjekje për presion ndaj Agjencisë”.

Nga AShMAA thonë se në Kodin Zgjedhor saktë është përcaktuar se të drejtë për fushatë zgjedhore kanë vetëm pjesëmarrësit në fushatë zgjedhore, e ato janë lista të kandidatëve për zgjedhje për deputetë që janë konfirmuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

“Radiodifuzerët, mediat e shtypura dhe elektronike (portalet në internet) sigurojnë kohë për reklamim të paguar politik vetëm për këta pjesëmarrës. KShZ e ka konfirmuar listën e kandidatëve për zgjedhjet që do të mbahen më 15 korrik, sipas së cilës Lëvizja Besa është pjesë e Koalicionit “Mundemi”. Nga kjo, duke pasur parasysh që kjo parti nuk del në zgjedhje e vetme, mund të marrë kohë për reklamim politik vetëm dhe vetëm në minutat e caktuara për koalicionin e sipërpërmendur” thonë nga AShMAA.