Hotit i kërkohet shkarkimi i ministrit të Arsimit dhe zëvendësministrit pa diplomë


Presion i madh është bërë gjatë këtyre ditëve ndaj kryeministrit Avdullah Hotit në shumë çështje, por tani po i kërkohet shkarkimi i ministrit të Arsimit Ramë Likaj dhe zëvendësministrit Driton Bardheci.

Shoqëria civile i ka quajtur goditje të radhës për arsimin, emërimin e Ramë Likaj ministër dhe të Driton Bardhecit si zëvendësministër, ata kanë kërkuar shkarkimin e tyre dhe emërimin e njerëzve të tjerë në këto pozita dhe të drejtohen nga njerëz profesional.

Në një letër të firmosur nga 13 organizata të shoqërisë civile, kërkohet nga kryeministri Avdullah Hoti, që të vepron sa më parë.

Sipas këtyre organizatave, ministri aktual, Likaj, nuk përfaqëson etikë akademike dhe profesionale për të qenë në krye të institucionit më të lartë të arsimit.

Po ashtu është kritikuar edhe zv.ministri Bardheci, pasi është zbuluar se ende është student i vitit të tretë në Universitetin Publik.

“Ne, organizatat dhe aktivistët e shoqërisë civile që punojmë dhe e përkrahim fushën e arsimit jemi thellësisht të alarmuar me goditjet e radhës që i bëhen arsimit në Kosovë nën Qeverinë Hoti. Emërimi i z. Ramë Likaj në pozitën e ministrit dhe z. Driton Bardheci në pozitën e zëvendësministrit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) janë vendime të papranueshme për cilindo qytetar të Kosovës që e dëshiron një arsim cilësor, relevant dhe serioz. Kërkojmë nga kryeministri Hoti që t’i largojë nga kabineti i tij këta anëtarë dhe t’i zëvendësojë ata me profile që kanë aftësi dhe integritet për t’i çuar përpara reformat që janë urgjentisht të nevojshme në arsim”, thuhet në letrën e firmosur nga: Admovere, BIRN Kosova, CPC – Center for Political Courage, D4D – Demokraci për Zhvillim, Education Comes First, ETEA, FIQ – Forumi për Iniciativa Qytetare, KCSF – Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, KYC – Kosovar Youth Council, ORCA. Sbunker, Teach for Kosova dhe TOKA – Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim.

“Ndonëse SCOPUS (databaza më e madhe globale e publikimeve akademike që janë ‘peer-reviewed.’) i ka përjashtuar për plagjiaturë revistat në të cilat z. Likaj ka publikuar punimet e tij shkencore, ky fakt nuk e ka penguar avancimin e tij brenda universitetit publik, ashtu sikurse as emërimin e tij në krye të dikasterit më të lartë të arsimit në Kosovë”, thuhet në letër.

“Ndërsa, z. Bardheci nuk ka asnjë kualifikim apo përvojë adekuate për këtë përgjegjësi. Përveç tjerash, emërimi i tij në këtë pozitë me përgjegjësi ekzekutive paraqet konflikt interesi në raport me organet e universiteteve publike duke qenë se z. Bardheci është ende student i nivelit Bachelor në Universitetin e Prishtinës, mbi të cilin tanimë ka kompetenca ekzekutive.