Hoti-Vuçiq: Në Bruksel për njohje reciproke dhe Asociacion të komunave


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, priten të takohen të hënën më 7 shtator në Bruksel.

Në deklarimet e bëra gjatë së dielës, presidenti i Serbisë, Vuçiq, paralajmëroi se në këto takime do ta ngris çështjen e Asociacionit të komunave serbe, derisa kryeministri Hoti ka thënë se me palën serbe do të dialogojmë për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke.

Takimi në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë vjen pas një takimi që palët patën në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, më 4 shtator, ku u nënshkrua marrëveshja për normalizimin ekonomik mes dy shteteve.
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, përmes një postimi në rrejtin social Facebook ka bërë të ditur se në Bruksel do të takojnë palën serbe për të dialoguar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke. Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë. Do të ketë vetëm marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, që është sistematike dhe ku përfshihen të gjitha çështjet që duhet të adresohen në mes të dy vendeve të pavarura duke u bazuar në konventat, standardet dhe praktikën ndërkombëtare të rregullimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve të pavarura”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, tha pas një takimi me të Dërguarin Special të Sekretarit të Shtetit të SHBA Mathew Palmer dhe Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-serbi, Mirosllav Lajçak në Bruksel, se BE-ja këmbëngul që ajo duhet të drejtojë dialogun politik të Kosovës dhe të Serbisë.

“BE-ja padyshim që dëshiron një rol kyç për veten dhe dëshiron që ajo të jetë bartësja e këtij procesi. Ata po analizojnë atë që është bërë në Uashington dhe mendoj se ata duan të përdorin një pjesë të asaj që është arritur në Uashington për të bërë përparim më të shpejtë. Se a janë më të lumturit në botë – kushdo që do t’ju thoshte atë – nuk do ta thoshte të vërtetën,” u tha Vuçiç gazetarëve.

Presidenti i Serbisë, tha se dialogu me Prishtinën është detyrim i shtetit, të cilin e ka marrë nga paraardhësit.
“Nëse do të më pyesnit nëse do ta pranoja atë në 2009 dhe 2010, kur autoritetet tona e pranuan, unë nuk do ta pranoja, por u votua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe është detyrimi ynë sot dhe ne nuk mund të zgjedhim. Ne jemi në rrugën evropiane dhe ne duhet t’u besojmë partnerëve tanë nga Evropa “, tha presidenti i Serbisë.

Në profilin e tij në Instagram, Vuçiq vlerësoi se takimi me Palmer dhe Lajçak ishte i mirë dhe deklaroi se ata diskutuan për “të gjitha temat e rëndësishme dhe si të vazhdohet dialogu nesër (7 shtator)”.

“E jona ishte që të luftojmë për një marrëveshje të rëndësishme në Uashington, të tregojmë guxim dhe vendosmëri. Serbia dëshiron të respektohet edhe në Uashington, edhe në Moskë, edhe në Bruksel dhe në Kinë”, shkroi ai ndër të tjera.

Më 7 shtator, në selinë e BE-së, do të mbahet një raund i ri dialogu në nivelin më të lartë politik ku do të marrin pjesë presidenti serb Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rinisi në Bruksel më 16 korrik.

Në takimet e zhvilluara së fundi në Bruksel, është diskutuar për të zhvendosurit, të pagjeturit dhe bashkëpunimin ekonomik.