Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar dje në Uashington në mes të Kosovës dhe Serbisë është tejet e rëndësishme, duke shtuar se qëllimi final i tyre mbetet marrëveshja përfundimtare e cila parash njohjen reciproke pa prekur integritetin territorial.
Hoti, në televizionin publik ka thënë se kjo marrëveshje është historike dhe synohet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.
Madje ka thënë se edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pas dy a tre vjet do të kuptojë që në këtë aspekt i ka gabim vlerësimet.
“Nuk gjeta as harta as thika, as nuk është shtruar si temë. E vërteta është që ShBA-të jo që nuk kanë harta e thika por angazhohen për ndihmuar Kosovën në arenën ndërkombëtare. Historikisht Vetëvendosja ka qenë gabim, nëse kthehemi dhe i shikojmë në momente të tilla, edhe Vjosa Osmani është gabim dhe i duhen dy-tre vjet derisa ta sheh që është gabim”, tha ai.