Hoti tregon kur pritet nënshkrimi i marrëveshjes finale me Serbinë

Kosova dhe Serbia mund të nënshkruajnë brenda 2020-tës marrëveshjen historike të paqes. Rruga drejt pajtimit në mes të Prishtinës dhe Beogradit po shkon në trajektore pozitive pas angazhimit të shtuar të Uashingtonit dhe Brukselit.
Marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë, e takimet e njëpasnjëshme në Bruksel po tregojnë edhe efektet e para ne negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e paqes mund të nënshkruhet në muajt e mbetur të këtij viti.
Kështu ka deklaruar në emisionin Pressing në T7, kryeministri i vendit, Avdullah Hoti që fillimisht ka dhënë detaje për draftin e marrëveshjes në të cilin flitej për njohjen reciproke, pikë që është hequr në draftin përfundimtar.
“Ka qenë një paragraf ku thuhet se dy palët duhet të njohin komunitetet jo shumicë, të drejtat e tyre”, ka thënë shefi i Qeverisë.

Hoti shton se pritjet janë që brenda këtij viti të nënshkruhet marrëveshja finale.
“Pritjet tona janë që ne besojmë që brenda këtij viti ne duhet të jemi në gjendje që ta përmbyllim marrëveshjen finale. Mos ta them me bindje të plotë, po krejt komunikimet që kam gjatë këtyre tre muajve, e veçanërisht gjatë tri javëve të fundit jam i bindur se po shkojmë drejt asaj”, ka deklaruar kryeministri.

Në Pressing, Hoti ka pasur kritika edhe për ata që kanë hedhur dyshime mbi marrëveshjen e Uashingtonit. Sipas tij, kjo është ngjarja më e rëndësishme për Kosovën që pas shpalljes së pavarësisë.
“Ngjarja më e madhe është pas shpalljes së pavarësisë, në këto momente kur i kalojmë nuk e kuptoj pse kthehemi në garën elektorale të brendshme pa asnjë nevojë”, ka deklaruar kryeministri.