Hoti tallet me Kurtin: Ata që kanë probleme me ligjin s’mund të marrin poste publike

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë se ata që kanë problem me ligjin nuk mund të marrin poste publike duke iu referuar vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që ia pamundësojnë kandidimin për deputet personave të dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit. Në këtë listë hyn edhe Albin Kurti, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër.

“Vendimet e organeve të drejtësisë duhet të respektohen. Mund të nënkuptohet gjithqysh, por s’është fokusi im aty. Dëshira ime është të ballafaqohem me të gjithë kandidatët për kryeministër, të gjithë ata që garojnë duke i përmbushur ligjet. Është e qartë, gjithkush që ka problem me ligjin s’mund të kërkojë post publik dhe s’mund të dalë para qytetarëve”, ka thënë ai pas homazheve në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit.

PZAP-ja, si shkallë e dytë, të martën vendosi sikur KQZ-ja që të mos lejojë certifikimin e Kurtit dhe kandidatëve të tjerë që ishin të dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit. Vetëvendosje ka paralajmëruar se sot do të dërgojë ankesë në Gjykatën Supreme, që do të ketë tre ditë afat për vendimin final.
Juristët janë shprehur të ndarë nëse Kurtit, në rast se fiton në zgjedhje, mund t’i lejohet të jetë kryeministër, edhe pse nuk i lejohet të kandidojë për deputet.

Zgjedhjet do të mbahen më 14 shkurt, pas Gjykata Kushtetuese rrëzoi Qeverinë Hoti të zgjedhur më 3 qershor. Hoti u rrëzua pasi në votim kishte marrë pjesë deputeti Etem Arifi, që ishte i dënuar për vepër penale. Teksa Kushtetuesja çoi vendin në zgjedhje në atë aktgjykim theksoi se s’duhet t’u lejohet kandidimi për deputet personave të dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit. Mbi dy vjet kanë kaluar që kur Kurti dhe të tjerë ishin dënuar për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.