Hoti: Sondazhet dhe “ushtria” e Facebook’ut nuk i përcaktojnë zgjedhjet

Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, njëherësh kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka vizituar sot Gjilanin. Gjatë kësaj vizite në Gjilan, Hoti është deklaruar përsëri për sondazhet të cilat po bëhen së fundi e të cilat në të shumtën e rasteve e renditën LDK-në si parti të tretë të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit. Madje ndër të tjerash Hoti theksoi se sondazhet dhe ushtria e Facebook-ut nuk i përcaktojnë zgjedhjet.

“Kemi edhe dy javë përpara, është tepër e nevojshme të mobilizohemi dhe të dalim bindshëm në Facebook. Sondazhet dhe ushtria e Facebook, nuk i përcaktojnë zgjedhjet. Zgjedhjet përcaktohen nga ju, rinia, gra e burra e pleq e plaka. Vizioni ynë është për një shtet demokratik, të civilizuar, për integrim në strukturat euro-atlantike. Rinia e ka pasur dhe do ta ketë vëmendjen e plotë në qeverisjen e ardhshme, për të ofruar një arsim cilësor e që i bën të rinjtë e të rejat të njëjtë me ata që shkollohen kudo në Evropë”, deklaroi Hoti.

Kurse kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se kthimi i Hotit në Gjilan është mbështetje dhe tregues i qartë se LDK do të vazhdojë ta mbështesë këtë qytet.

“Kthimi i kryeministrit në Gjilan për ne është mbështetje dhe është tregues i qartë se LDK do të vazhdojë ta thej atë angazhim të të gjithëve kundër nesh. Uroj që vota e 31 të rinjve e të rejave të jetë një votë tregues për një rezultat të madh për fitoren e LDK-së, më 14 shkurt. Do t’i tmerrojmë kundërshtarët me punë e me rezultat”, ka thënë Haziri.