Hoti nuk e sheh problem ndërtimin e laboratorit për Covid-19 nga Serbia: Pandemia nuk menaxhohet ndaras

Kryeministri Avdullah Hoti ka folur edhe për një laborator PCR për testimin e rasteve me coronavirus që po përgatitet ta ndërtoj Serbia në veri të Kosovës.
Hoti në RTV Dukagjini ka thënë se menaxhimi i pandemisë nuk mund të bëhet në mënyrë të ndarë nga shtetet veç e veç.
“Duhet vepruar ashtu siç po veprojnë shtetet e Bashkimit Evropian”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Kryeministri thotë se Kosova ka kapacitete të limituara dhe nevojitet bashkëpunim për të përballuar rastet me coronavirus.

“Ne shumë shpejt do t’i pajisim edhe qendrat rajonale me aparatura për testimin e COVID-19 ku do të katërfishojmë numrin e testeve. Duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha resurset e nevojshme, duhet të bashkëpunojmë edhe me Serbinë që të menaxhojmë me situatën”.
Hoti thotë se Serbia e keqpërdori donacionin prej 1000 testeve që i dha Kosovës dhe sipas tij edhe ndërtimin e një laboratori për testimin e rasteve me COVID-19 ajo mund të bëjë politikë.

“Ne pranojmë donacione dhe ndihma nga të gjitha shtetet pa përjashtim, pavarësisht se Serbia edhe viktimat e luftës i politizon. Nëse Serbia e përdorë këtë donacion për qëllime politike do të ishte për keqardhje. Ne do të komunikojmë më shumë për këtë çështje edhe me partnerët ndërkombëtarë”, tha ndër të tjera Avdullah Hoti.