Hoti: Këto janë prioritetet e mia si kryeministër

Kandidati për kryeministër të Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se pandemia dhe rimëkëmbja ekonomike do të jenë dy prioritetet e tij si kryeministër. Por dialogu sipas tij mbetet prioritet i parë.

“Sfida e parë menaxhimi i pandemisë, rimëkëmbja ekonomike. Por dialogu është prioriteti kryesor që do të ballafaqohemi. Çdo masë e reciprocitetit do të zbatohet në bashkëpunim me partnerët”, tha ai.

Ai tha se do të respektojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.

“Ne do të zbatojmë çfarëdo vendimi që sjell Gjykata Kushtetuese”, tha ai.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka propozuar Avdullah Hotin për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Vendimi tani pritet të merret nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së. Hoti, ka qenë zëvendëskryeministër i parë në qeverinë tashmë në detyrë të Kosovës.

Në momentin që edhe Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie ta konfirmojë nominimin e Hotit, atëherë çështja do t’i kalohet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që t’i jap mandatin për formimin e qeverisë, mbi bazën e një afati kushtetues prej dhjetë ditëve.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se ishte qëndrim i LDK-së që ai vet të jetë kandidati për kryeministër, por siç tha Mustafa, për arsye shëndetësore nuk ka mundur ta pranojë këtë nominim.

“Jemi pajtuar të gjithë që Avdullah Hoti të propozohet nga Kryesia e LDK-së për kryeministër në qeverinë të cilën se bashku me subjektet tjera partnere do t’ia prezantojmë Kuvendit në momentin që unë e marrë konfirmimin definitiv nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së”, tha Mustafa pas mbledhjes së kryesisë së partisë së tij.

Formimi i qeverisë kalon përmes procedurës së votimit në Kuvendin e Kosovës, me të paktën 61 vota për. Qeveria e re, sipas formulës së LDK-së do të ndërtohet mbi bazën e koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re, Listën Serbe dhe komunitetet tjera joshumicë.