Hoteli paralajmëron padi ndaj çiftit gjerman që u ankua për pushimet në Durrës

Rrëfimi i një çifti gjerman në televizionin RTL për tmerrin që pretendojnë se kaluan gjatë pushimeve në Durrës bëri bujë në media të mërkurën. Sot [e enjte], menaxheri i hotelit ku çifti kishte qëndruar, Eriklent Kollollari, ka paralajmëruar se do ta padisin televizionin RTL pasi, siç thotë ai, kanë publikuar një lajm dezinformues.

Çifti gjerman u ankua se gjatë pushimeve në Shqipëri hasën në plehra të shumta në hotelin ku po qëndronin. Sipas tyre, edhe ajo çka ishte në ofertat online të hotelit – përfshirë pishinat e jashtme dhe të brendshme – mungonin, ndërsa thonë se u është kërkuar edhe para ekstra për akomodim. I kanë dërguar një video televizionit RTL. Këto mohohen nga menaxheri i hotelit.

I ftuar në Euronews, Kollollari ka thënë se videot ku shihen shkallet e një ndërtese me plehra nuk ndodhen në hotel, por në një pallat që ndodhet afër hotelit.

Ai ka pretenduar se turistët gjermanë nuk kanë paguar para ekstra për akomodimin dhe nuk kanë shfaqur asnjë shqetësim gjatë kohës së qëndrimit.

“Ajo pamja me plehra te shkallët nuk është ambient i hotelit, por është një pallat. Ata kanë ardhur më datën 21 gusht dhe kanë ikur më datë 1 shtator. Nuk kanë manifestuar gjatë qëndrimit asnjë shqetësim. Ndërtesa është ngjitur me hotelin, por nuk është pjesë e hotelit, janë shkallët e një pallati. Në momentin që është bërë foto nga turistët ka pasur shumë plehra, por janë hequr. Unë nuk kam fuqi për mirëmbajtje për një pronë që nuk është e jona. Klientët janë paraqitur në recepsion në orën 23:30, janë akomoduar pa kryer asnjë lloj pagese dhe pagesa është bërë më 28 gusht. Kanë qenë të njoftuar për pagesën. Ne kemi marrë masat tona dhe kemi kontaktuar agjencinë, pas ata nuk treguan rezervimin. Fakti që nuk kam publikuar materiale nuk do të thotë që nuk do publikojmë. Po grumbullojmë të gjithë informacionet dhe do hapim një gjyq pasi është një shkatërrim total për biznesin pasi artikulli lexohet në shumë shtete dhe ndikon në klientelën tonë. Dëmi për një hotel që ka klientë në këto shtete ku lexohet ky atikull është shumë i madh”, ka thënë ai.

Kollollari ka thënë se ka marrë telefonatë nga televizioni RTL dhe shton se në një farë mënyre i kanë kërkuar ndjesë.

“RTL më ka marrë në telefon pas përgjigjeve që unë kam dhënë. Ata më kanë thënë se nuk është qëllimi i tyre të publikojnë ‘fake news’ dhe në një farë mënyrë jo drejtpërdrejtë më kërkuan ndjesë. Lajmi qëndron akoma, por është shtuar një shënim për procedurat që vijnë më vonë. Do ta ndjekim me avokatë dhe do ta çojmë në gjyq”, ka thënë menaxheri i hotelit.