Hooper kërkon lirimin e Thaçit: S’mund të krahasoni me Karagjiqin një të nominuar për Nobel

David Hooper, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka paraqitur në Gjykatën Speciale të hënën përgjigjet e tij ndaj parashtresave të kryeprokuorit të Specializuar, Jack Smith, kundër lirimit të përkohshëm të klientit të Thaçit.
Avokati i Thaçit i ka cilësuar “mashtruese dhe selektive” parashtresat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar lidhur me kërkesën për lëshimin e urdhërarrestit ndaj Thaçit dhe mbajtjen e tij në paraburgim.

“Është një tipar tregues i përgjigjes së ZPS-së që ZPS ka përgjithësuar në mënyrë të përsëritur pretendimet e saj ka paraqitur keq dhe karakterizuar keq provat themelore e ka mashtruar gjykatën dhe me qëllim i ka hequr provat kryesore në bërjen e parashtresave të saj”, thuhet në përgjigjen e Hooper.
Ai i ka dhënë rëndësi të veçantë pretendimit të ZPS-së për ta krahasuar Thaçin me politikanin famëkeq serb, Radovan Karagjiq, i cili ishte dënuar për gjenocid me burgim të përjetshëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë. Hooper ka thënë se është për keqardhje krahasimi i Thaçit me Karagjiqin, duke përmendur faktin se Thaçi u dorëzua vullnetarisht në Gjykatën Speciale.

“Është për të ardhur keq paraqitja e ZPS-së duke tërhequr krahasimin me ‘figurat e tjera të njohura ndërkombëtare’ që përdorën ‘burimet e tyre për t’iu shmangur drejtësisë’. […] Ndryshe nga presidentët Habré, Karagjiq dhe Taylor, të cilët pasi mësuan konfirmimin e aktakuzave kundër tyre u arratisën, Z. Thaçi kur mësoi të se aktakuza ndaj tij ishte konfirmuar dha menjëherë dorëheqje si president i Kosovës dhe iu dorëzua DHSK-së”, thuhet në materialin që Hooper ia ka dorëzuar gjykatës.

Avokati anglez ka përmendur angazhimin e Thaçit “për pajtimin e etnive të ndryshme në Kosovë”, duke thënë se ai ishte nominuar për ta fituar çmimin Nobel për Paqe.
“Kjo është një e drejtë civile që i ofrohet çdo të akuzuari, përfshirë edhe atë që deri në ditën e arrestimit ishte President i respektuar me një angazhim për paqe dhe stabilitet – një i nominuar për çmimin Nobel për Paqe – i cili tani akuzohet për kryerjen e krimeve 22 vjet më parë”, ka shkruar Hooper në parashtresë.

Ai konsideron se provat e Prokurorisë lidhen me shumë ngjarje të nxjerra jashtë kontekstit.
“Siç diskutohet në Aplikimin fillestar dhe më poshtë, ‘provat’ e mbështetura nga ZPS kanë të bëjnë me shumë ngjarje të marra jashtë kontekstit dhe nuk janë shpjeguar ose paraqitur në mënyrë të papërshtatshme”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes.

Hooper shkruan se privimi i Thaçit nga liria nuk mund të arsyetohet me paralajmërimin se ai “mund të dënohet me burgim të përjetshëm”.
“Gjykata do të pranojë që privimi i një individi nga liria e tij është një vendim i rëndë edhe pas një dënimi”, thotë avokati i Thaçit, ndërsa i jep përgjigje edhe pretendimeve të Prokurorisë për rrezikun që ish-drejtori politik i UÇK-së të arratisej.
“Rreziku duhet të jetë një rrezik real më shumë sesa të jetë imagjinar ose thjesht mundësi”, shkruan Hooper.

Ai i është kundërpërgjigjur edhe pohimeve të ZPS-së se Thaçi s’kishte zgjidhje tjetër përveç dorëzimit, duke thënë se me këtë ZPS bie në kundërshtim me veten.
“Pohimi i ZPS-së se Z. Thaçi nuk kishte ‘zgjidhje tjetër përveç dorëzimit’ është i paarsyeshëm dhe i pavërtetë. Për qëllimin e këtij argumenti, ZPS me lehtësi braktis nocionin e se ai ka në dispozicion burimet e një rrjeti efektiv, të gjerë”, thuhet ndër tjerash në përgjigjet e avokatit.

Mbrojtja e Thaçit thotë se Prokuroria e ka mashtruar gjykatën, pasi siç thuhet në material, “Thaçi kishte zgjedhje tjera”, përveç dorëzimit.
“Presidenti Thaçi u soll me përgjegjësi dhe me respektin e duhur për autoritetin e DHSK-së. Ai kishte zgjedhje. Ai zgjodhi të dorëzohej dhe të mos mbështetej në imunitetin e tij”, shkruan Hooper.
Avokati ka përgjigje edhe lidhur me rëndësinë që ZPS në pretendimet e saj i ka dhënë letrës që Thaçi ia kishte dërguar Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Hooper thotë se një pjesë e letrës është cituar gabimisht.

“Në letër Z. Pompeo vlerëson Z. Thaçi për ‘angazhimin e tij personal’ në negociatat e përpikta dhe miratimin e strukturës dhe rregullave të Gjykatës”, shkruan Hooper, ndërsa kujton se pas kësaj kishte pasuar një takim mes të dyve.
“Letra u dërgua në 21 janar 2020. Ajo u pasua nga një takim në shkurt midis Z. Pompeo dhe Presidentit Thaçi në të cilin ishte e qartë se Qeveria e SHBA-së e perceptoi Z. Thaçi si një partner të rëndësishëm në ndjekjen e politikave të saj për të mbështetur DHSK-në dhe paqen në zonë”, shton avokati.

Ai e vlerëson lart dhe e rithekson rolin e Thaçit për ngritjen e Gjykatës Speciale, duke konsideruar se ajo “nuk do të kishte ekzistuar
pa të”.
“Duhet të përsëritet se Z. Thaçi e përkrahu DHSK-në – që nuk do të kishte ekzistuar pa të. Me vite mbështetja e tij mund të ketë ndryshuar: gjykata nuk bëri asgjë për disa vjet dhe u kritikua nga disa akterë, gjë që e bëri Z. Thaçi të vinte në pikëpyetje nevojën ose interesin e një institucioni të tillë – kjo është ndryshe nga pengimi i drejtësisë”, thuhet në parashtresë.

Avokati anglez i ka renditur edhe rastet kur Thaçi u ka dalë në mbrojtje qytetarëve të ndryshëm serbë dhe viktimave të këtij komuniteti në Kosovës, duke përmendur rastin kur Thaçi e kishte dënuar dëmtimin e varrit të një gruaje serbe, e më pas duke shkruar për dhjetëra homazhe që si president, Thaçi u kishte bërë serbëve të vrarë në Kosovë gjatë dhe pas luftës.

“Homazhe për viktimat serbe në Kosovë: Si President i Kosovës, Z. Thaçi vizitoi përmendore të caktuara të serbëve në Kosovë dhe i bëri homazhe serbëve të Kosovës të vrarë gjatë dhe pas luftës në Kosovë, duke bërë thirrje për drejtësi për të gjitha viktimat e luftës; deklaratat e tilla të Z. Thaçi shkaktuan zemërim te shumë njerëz në Kosovë”, thuhet në këtë material.
Në fund, avokati kërkon që Gjykata Speciale ta pranojë kërkesën për lirimin e përkohshëm të Thaçit me çfarëdo kushte të cilat konsiderohen të domosdoshme dhe të përshtatshme.