Hodhi një bombë dore para klubit të partisë PCER në Tetovë dhe u kthye të shikonte pse nuk kishte shpërthyer


Sot herët në mëngjes, para Klubit të Partisë për Emancipimin e Plotë të Romëve, e cila ndodhet në një kafene në Tetovë, është hedhur një bombë dore e cila fatmirësisht nuk ka shpërthyer shkruan Pa Censurë. Autori fillimisht theu një nga xhamat e derës dhe atje e la bombën. Por, pasi bomba nuk shpërtheu, ai u kthye për të kontrolluar nëse bomba ishte aktivizuar. Pasi nuk arriti ta aktivizojë, u largua. E gjithë kjo u regjistrua nga kamerat e sigurisë të objekteve përreth.

Kryetari i PCER-it, Samka Ibraimovski, nuk e di pse dikush ka dashur ta shkatërrojë klubin e tyre dhe për momentin nuk sheh një prapavijë politike në këtë akt.

“Në orën 4:23, personi erdhi këtu, theu xhamin, hodhi bombën, ajo nuk shpërtheu dhe pati guximin të kthehej për të parë nëse bomba ishte aktivizuar apo jo. Për fat të mirë, nuk ishte aktivizuar, sepse po të ishte, sigurisht që do të kishte shkaktuar dëme të mëdha. Njëri nga anëtarët e partisë sonë që kishte ardhur në klub në mëngjes, filloi të pastronte xhamin e thyer pa e vënë re bombën, kështu që pa dashje ai mund ta kishte aktivizuar. Bëhet fjalë për një bombë dore të tipit të vjetër që ka një fuqi të madhe shkatërruese. Ne, si parti politike, nuk kemi asnjë problem dhe nuk jemi grindur me askënd, përveç disa keqkuptimeve me përmbaruesit.

“A është kjo arsyeja apo diçka tjetër, shpresojmë të mësojmë së shpejti,” deklaroi Ibraimovski. Në vendin e ngjarjes, policët e SPB Tetovë bënë inspektimin, ndërsa një ekip antiterrorizëm e largoi në mënyrë të sigurt bombën e pashpërthyer.
Pa Censurë