Më 8 Shtator shënohet dita e Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke mbushur kështu plot 30 vite si shtet i pavarur dhe sovran. Me ç’rast është organizuar eveniment special për të shënuar ditën më të rëndësishme të popullit të Maqedonisë së Veriut por edhe për të festuar këtë datë të madhe që shënon sakrificën dhe mundin e një populli sovran.
Sakaq, ndaj këtij evenimenti të organizuar ditën e ejnte që do të mbahet para Parlamentit, përveç Kryeministrit, Presidentit, Kryeparlamentarit gjithashtu do të marrin pjesë edhe artistë nga fusha e muzikës.
Ndër artistet që do të performojnë live në këtë eveniment do të jetë edhe këngëtarja e shquar dhe shumë e njohur për publikun, Jehona Shaqiri.
Jehona ka folur për Pa Censurë ku ka treguar më shumë detaje rreth këtij evenimenti, duke theksuar në thelb se është një ngjarje historike dhe se është artistja e parë që do të këndojë në gjuhën shqipe për të parën herë, në një ditë të shënuar si kjo e Pavarësisë së RMV.
“Është nder dhe privilegj shumë i madh për mua sepse në palcë jam patriote dhe gjithkund e kam përfaqësuar muzikën me shqiponjë, aq më shumë që të përfaqësoj kombin shqiptar në RMV në një ditë të shënuar si kjo e pavarësisë.
Është historike për t’u theksuar që është hera e parë që këndohet shqip në këtë datë të shënuar, andaj pata nderin që të përfaqësojë popullin tonë. Do të jemi katër këngëtare në skenë dhe që secila do të këndojë në gjuhën e saj, në fillim do të jetë një këngëtare maqedonase pastaj jam unë.
E them edhe një herë me shumë bindje që kam nderin dhe privilegjin që të përfaqësojë popullin tim në këtë datë të shënuar, si edhe kam nderin që të jem pjesë në një skenë me këngëtarë të ndryshëm”, u shpreh Jehona Shaqiri.
Ndryshe, Jehonën siç e njohim të gjithë është një artiste me një bagazh shumë të madh në industrinë e muzikës, si një rrebele urbane që nuk u kursye kurrë të japë maksimumin ndaj muzikës me Shqiponjë. Jehona ka promovuar edhe më parë muzikën shqipe në vende të huaja si Berlin, Sofje, Zyrih dhe gjithmonë përpara një publiku të huaj.