Historike, administrata e Trump-it nënshkruan marrëveshje me talibanët


Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe grupi militant i talibanëve të Afganistanit e kanë nënshkruar marrëveshjen historike të paqes, me të cilën pritet t’i jepet fund luftës 18-vjeçare në Afganistan.

Sipas kësaj marrëveshjeje, aleatët e NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara do t’i largojnë të gjitha trupat ushtarake nga Afganistani brenda 14 muajve, nëse talibanët i respektojnë pikat e marrëveshjes.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së rëndësishme morën pjesë liderët e talibanëve dhe sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo. Ngjarja u zhvillua në Doha të Katarit.

Pas nënshkrimit të këtij pakti, pritet që tash të fillojnë bisedimet mes qeverisë afgane dhe talibanëve në lidhje me ndarjen e pushtetit.

Sipas marrëveshjes, talibanët nuk do ta lejojnë grupin Al-Qaeda ose ndonjë grup tjetër ekstremist që të veprojë në territorin e kontrolluar nga ta.

Shtetet e Bashkuara e pushtuan Afganistanin disa javë pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001, shkruan “BBC”.

Prej fillimit të luftës, rreth 157 mijë njerëz janë vrarë, prej tyre më shumë se 43 mijë civilë.

Në këtë luftë janë vrarë edhe rreth 2400 ushtarë amerikanë dhe mijëra ushtarë afganë e militantë talibanë.