Një histori e trishtë është rrëfyer ditën e sotme nga Alma, nëna e dy fëmijëve, e cila kishte përfunduar në psikiatri nga fyerjet e bashkëshortit.
Ajo tha në rubrikën “Ka një mesazh për ty” se babai i fëmijëve të saj e ofendonte për pamjen derisa filluan ta kapnin krizat e panikut.
Për këtë arsye, ajo tha se u detyrua të shkonte në spitalin psikiatrik të Athinës. Nëna e dy fëmijëve tregoi se ofendimet e herëpashershme e bënë atë që të merrte vendimin për të ndryshuar veten dhe u regjistrua në palestër, si dhe filloi dietën.
Por ajo rrëfeu se pavarësisht se u dobësua dhe e ndjente veten më të fortë, marrëdhënia me bashkëshortin qëndronte e njejtë, ndaj vendosi të divorcohej.
Deklarata e Almës:
Kishin arritur gjërat në atë pikë sa ne nuk kishim asnjë pikë komunikimi më, edhe në shtëpi rrallë takoheshim. Por momenti që thashë stop ishte kur çuni im kishte ditëlindjen më 30 Korrik dhe bëhej 3 vjeç dhe e marr në telefon, i thashë do vish një çikë herët sot që do rregulloj një çikë që të ndiejnë fëmijët atmosferën që çuni ka ditëlindjen? Dhe më tha “po”. Kaloi një farë ore, nuk e kisha shtruar tavolinën që ta prisnim, e marr në telefon, “erdha, tani kam takuar një shok, po pi një birrë dhe erdha”. Pastaj kaloi një orë, e marr prapë në telefon, “për 5 minuta jam aty, erdha”, kaluan, kaluan, erdhi mesnata, nuk e festuam ditëlindjen e çunit, fëmijët vajtën në gjumë, unë e prita, nuk fola fare kur erdhi. Hyri brenda, “hë mo se sikur ça ka ndodhur” më tha mua.
Jam munduar gjithmonë situatat të kalojnë pa u dëgjuar, e kisha harruar veten fare-fare. Më duket se ajo mbingarkesa… kisha harruar se jam femër, apo një çikë të rregulloj veten apo kisha vajtur dhe isha bërë edhe 100 kile, më thoshte “je bërë si lopë” dhe ajo mbingarkesa… më erdhën kriza paniku. Erdhi ambulanca më mori dhe u gjenda papritmas në spitalin psikiatrik të Athinës. Kur e kam parë veten aty jam trembur, kam thënë po unë çfarë dua këtu? Po fëmijët çfarë do bëhen?
Kam ndenjur aty 2-3 orë bisedë me psikologen. Ka qenë ai momenti që mua më është ndezur në tunel, ajo drita që unë nuk e shihja askund. Ishte hera e parë në jetën time që unë mundesha të nxirrja çdo gjë që kam brenda dhe të shpjegoj tamam si ndihem diku. Dhe një fjalë magjike e psikologes më ka dhënë krahë, më tha “po ti je shumë e fortë”. S’e kisha dëgjuar të ma thoshte dikush se ti je e fortë dhe ta besoj se jam e fortë, unë besoja se nuk jam e fortë, besoja se nuk mundem, se nuk do ia dal. Këshilla tjetër ishte “me këto që po më tregon”, tha, “ti je në një ambient toksik. Në qoftë se situatën nuk e ndërron dot, ti duhet të ndërrosh ambientin”.
Dhe vërtet unë jam ndierë sikur u çlirova. Ishte hera e parë në jetën time që unë shkova te psikologu sepse e kishim dhe si tabu, të shkoj në psikolog vetë, nuk jam e çmendur, por aty kuptova se çfarë ndihme mund të marrësh. Pastaj shkova në shtëpi, u mundova ta përqafoj sepse unë doja ta shpëtoja situatën në familje, nuk doja t’i jepja fund, pavarësisht të gjithave. Më ka dhënë një të shtyrë, “shih si je moj”, tha. Ai sikur më shtypi edhe një buton tjetër, të nesërmen shkova u regjistrova në palestër, fillova dietën, shkova u rregullova, pas 3 muajsh isha fantastike, ndihesha të paktën, nuk e di si isha vërtet.
Kompliment nuk më ka bërë ndonjëherë, por filloi të xhelozonte. Megjithatë edhe pse u bëra më e bukur nuk u rregulluan marrëdhëniet tona sepse kishte humbur çdo gjë mes nesh dhe nuk doja që fëmijët e mi të rriten në një atmosferë të tillë që prindërit s’kanë më komunikim me njëri-tjetrin dhe në fakt ia kërkova në mënyrë paqësore. I thashë ne kemi marrë fund, mirëpo asokohe shqiptarët e atij brezi sikur nuk e pranojnë lehtë dhe u detyrova dhe lëviza, ndërrova qytet, mora fëmijët dhe ika.