Historia e jashtëzakonshme e Valdetes, refugjates nga Kosova që sot është pilote e Ushtrisë Amerikane

Shqiptarja nga Kosova, Valdete Mehanja ka një histori jete të jashtëzakonshme. Familja e saj u bë refugjate lu*fte gjatë konfliktit në Kosovë dhe përfunduan në kampet e refugjatëve në Gjermani. Pas çlirimit u kthyen në atdhe, por përvoja i kishte lënë një përshtypje të jashtëzakonshme Valdetes e cila vendosi të angazhohej për të kontribuar për njerëz e popuj të tjerë që kalonin vuajtje të ngjashme. Ajo u angazhua si vullnetare e OKB-së në zona konfliktesh me refugjatë.

Në vitin 2004, u punësua si kontraktore nga Shtetet e Bashkuara dhe u vendos në Irak e më vonë në Afganistan. Ishte aty që i lindi dëshira për një karrierë ushtarake dhe për fluturimin. Në 2010, ai nisi ta bënte këtë ëndërr realitet kur erdhi si studente në SHBA për të kryer studimet në Universitetin e Aeronautikës Embry Riddle, Daytona Beach, Florida. Pas diplomimit shërbeu në disa formacione të Ushtrisë Amerikane si dhe iu bashkua në programit (MAVNI) që angazhohet për interesa jetike kombëtare amerikane.

Sot, refugjatja nga Kosova është Lejtënante e Dytë e ushtrisë amerikane dhe po përgatitet si pilote e helikopterëve Black Hawk. Në korrik, Këshilli Amerikan i Emigracionit e nderoi me Çmimin e Trashëgimisë Amerikane, që e kanë marrë edhe figura si Gjenerali Colin Powell, Senatori i Amerikës Daniel Inouye, dhe shkrimtarja e aktivistja Gerda Weissman Klein. Valdetja përkrah studimeve dhe shërbimit në ushtria ka gjetur gjithmonë kohë për të ndihmuar kauzën e emigrantëve në SHBA.

Valdeta Mehanja ia ka përkushtuar jetën përparimit të Shteteve të Bashkuara. Për arsye se nuk u dorëzua kurrë dhe sepse njerëzit që e ndihmuan nuk hoqën dorë kurrë, Valdeta Mehanja realizoi ëndrrën e saj për t’u bërë nënshtetase amerikane, një oficere e lartë e komisionuar dhe tani po stërvitet që të bëhet pilote e Black Hawk”, tha me rastin e dhënies së dekoratës, Beth Werlin, drejtoresha ekzekutive e Këshillit Amerikan të Emigracionit. Valdete Mehanja i është mirënjohëse Amerikës që çliroi vendlindjen e saj dhe shpëtoi popullin e saj. Tani, është ajo që punon për ta bërë Amerikën më të fortë.