Historia e Gentit – Kush ishte mbreti i fundit Ilir?


Mbreti Gent i fisit ilir të ardianëve është padyshim një nga më të përmendurit në historinë e antikitetit. I njohur për sensin e tij të prakticizmit, risive dhe pasionit të tij për biologjinë, ai gjen vend nderi në faqet e historisë. Ishte i fundit mbret ilir. Gjurmët e tij humbasin në vitin 168 para erës sonë, kur ra Shkodra. Nëse rrëmojmë në analet e historisë, vërejmë se hamendjet janë të shumta.

Disa historianë pretendojnë se ai u zhduk, u vra, u arratis. Deri disa vite më parë askush nuk kishte informacione për fatin e sovranit ardian. Pas vitit 2000 ishin emigrantët shqiptarë në Itali, ata që ranë në gjurmët e mbretit Gent. Varri i tij gjendet në Itali, në provincën e Gubbios, Peruxhia, në krahinën e Umbrias.

Kush ishte mbreti i fundit ilir
Mbreti Gent ishte sovran i fisit të ardianëve me kryeqendër Shkodrën. Qeverisi në harkun kohor 192 p.e.s deri në vitin 168 p.e.s. Ai ishte i biri i mbretit Pleurat dhe ishte i martuar me Etleuan, vajzën e mbretit Muonun të Dardanëve.

Mbretërimi dhe jeta e Gentit
Genti erdhi në fuqi në vitin 181 p.e.s. Ai që në fillim të mbretërimit të tij, pati kundërshtime nga politika romake, e cila ju drejtua me tërë ashpërsinë e saj. Atë e akuzuan si nxitës për rifillimin e piraterisë nga ana e ilirëve, ku me këtë pretekst senati caktoi në vitin 178 një flotë të posaçme prej 10 anijesh, e cila do të vepronte në Adriatik për të ruajtur nga flota ilire ujërat midis Ankonës dhe Tarantos.

Roma nxiti kundër tij dalmatët, të cilët u shkëputën nga mbretëria. Mbretit Gentit iu desh të bënte një luftë të ashpër kundër aristokracisë së lartë, e cila kishte tendenca proromake dhe gëzonte përkrahje të gjerë edhe në oborrin mbretëror. Gentin nuk e ndali asgjë në këtë luftë, në të cilën ai sakrifikoi edhe të vëllain, Platorin, që Roma synonte ta vinte në fron në vend të tij.

Genti i kushtoi gjithë vëmendjen e tij forcimit ekonomik dhe politik të mbretërisë. Ajo që na dëshmohet më mirë nga burimet midis masave me karakter ekonomik është veprimtaria e dendur monedhaprerëse që zhvilloi Genti. Mbreti Gent në politikën që ndoqi në fushën e prerjeve monetare mund të konsiderohet një reformator i vërtetë. Kjo i lejoi mbretit të përqendrojë në duart e tij mjete të fuqishme financiare. Dëshmi e pakundërshtueshme është përmbajtja e thesarit mbretëror që u kap nga romakët.

Dendësimi i prerjeve monetare diktohej në radhë të parë nga gjendja ndërkombëtare. Rreziku romak sa vinte dhe bëhej më evident, prandaj edhe mbreti duhej të shtonte përpjekjet e tij për forcimin e ushtrisë dhe të flotës. Ato elemente të organizimit shtetëror që në burimet e periudhës së sundimit të Agronit apo të pasardhësve të tij dolën në mënyrë sporadike, tek Genti vijnë e plotësohen dhe problemi bëhet më i qartë në tërësinë e tij.

Në kohën e Gentit, Mbretëria Ilire shtrihej në një territor mjaft të gjerë dhe përfaqësonte fuqinë e dytë pas Maqedonisë, në pjesën perëndimore dhe jugore të Gadishullit. Genti mbante titullin “mbret i ilirëve” dhe sundonte si një mbret romak dhe nuk njihej në burimet ndonjë organ tjetër që të kufizonte veprimet e tij.

Marrëdhëniet të ndërlikuarara me Romën, bënë që Genti të kujdesej të vendosë marrëdhënie të mira me fqinjët ballkanikë. Ai qysh në fillim ia arriti të vendoste lidhje miqësore me fqinjin lindor, Mbretërinë Dardane. Bazën e politikës së jashtme të shtetit ilir në këtë kohë e përbënin marrëdhëniet miqësore me Maqedoninë.

Në çastin kur konflikti mes Romës, Ilirisë dhe Maqedonisë kishte arritur kulmin e tij, mbreti ilir kishte vendosur të hynte në luftë kundër Romës, duke e zgjedhur këtë si të vetmen rrugë për mbrojtjen e pavarësisë politike. Vendimi i tij u prit me entuziazëm edhe në viset e tjera të Ballkanit, sepse ngjallte shpresa për fitoren mbi romakët.

Pas disa betejash, fundi i mbretërimit të tij lidhet me Luftën e III iliro-romake, kur ardianët pësuan disfatë. Në vitin 168 p.e.s, ai iu dorëzua legjioneve romake që e pushtuan Shkodrën. Duke e kuptuar se nuk mund t’i mbronte dot më territoret, Genti pranoi të dërgohej rob në Romë së bashku me familjen e tij, me kushtin që të mos persekutohej dhe vritej popullsia.

Njëkohësisht me Ilirinë dhe Maqedoninë romakët nënshtruan dhe Epirin. Genti bashkë me familjen e tij u dërguan në Romë. Kështu u nënshkruan dy shtetet e fuqishme te Ballkanit dhe u vendos në këto krahina sundimi romak. Historianët pretendojnë se mbreti ardian u dërgua si rob në Romë dhe u mbajt i burgosur një vit e më pas u ekzekutua.

Ndërkaq, sipas një version tjetër dhe më pak të besueshëm, ai u dërgua në Perandorinë Romake, ku iu dhanë ofiqe dhe pasuri, për ta abdikuar nga froni i fisit ardian. Gjithsesi mauzoleu i ka karakteristikat e një varri aristokrat dhe zë vendin në zonën e nekropolit të Gubbios, asokohe mjaft e zhvilluar.

Mauzoleumi ku u varros Mbreti Gent
Ky fakt lë shteg të lirë për të besuar se romakët e nderuan Gentin e Ilirisë pas vdekjes, ndonëse në dhe të huaj.

Pasionet e mbretit Gent
Mbreti Gent përmendet në histori edhe për pasionin e tij për biologjinë. Rrëfehet se ai shëtiste maleve dhe pyjeve të mbretërisë dhe mblidhte bimë mjekësore e kurative. Madje, edhe në ditët e sotme, një bimë mban emrin e tij “gentiana”. Në mbretëritë ilire, Genti mendohet se ka qenë ndër të parët që nxori në qarkullim monedhën e bronzit me simbol kokën e tij.