Historia e Flamurit nga Vlora në Prekaz

Në kohën kur Kosova po përballej me luftën, qyteti i Vlorës në mbështetje për familjen Jashari në vitin 1998 kur edhe u shua lagjja Jashari dhuroi një flamur kuq e zi. Ish-studenti i Universitetit në Tiranë, Sabit Syla publikon një video, e cila mbetet dëshmi e asaj kohe. Me 17 shkurt të vitit 2008 ky flamur u ngrit në kullat e Jasharëve nga Rifat Jashari, pikërisht në ditën e cila ishte amanet nga studentja e qytetit të Vlorës, Valbona.

Syla në një intervistë për KosovaPress tregon rrugëtimin e tij për ta sjellë flamurin në vendin ku po shkruhej historia e lavdishme.

Sabit Syla, i cili sot udhëheq Institutin e Historisë në Prishtinë tregon për rrjedhën e emisionit dhe arsyen e pjesëmarrjes.

“Unë u ftova në atë emision televiziv pikërisht pas një demonstrate që kishim bërë ne studentet e Fakultetit Histori në mbështetje të së drejtës luftës çlirimtare të familjes Jashari..Nuk kemi qenë në dijeni që ne do ta bënim atë për faktin se e tëra që ndodhi ishte pikërisht lufta e familjes Jashari dhe nuk ishte as 10 ditë dhe mua me ftuan disa persona pikërisht duke qenë pjesë e kësaj siç shihet edhe në video profesori Mojkom Zeqo dhe disa të tjerë në mbështetje të luftës së drejtës së familjes Jashari tregon që ishte jo vetëm studentet por i ter populli shqiptarë jo vetëm në Shqipëri por gjithandej trojeve shqiptare. Dhe ndodhi pikërisht ajo që u dërgua flamuri pikërisht nga një studente që përfaqësonte vullnetin e mirë të Vlorës vullnetin e mirë edhe të pjesës dërrmuese të popullit shqiptare që jemi një vend jemi një komb”, thotë ai.

Tutje, ai rrëfen për rrugëtimin në formën ilegale të asaj kohe për ta sjellë flamurin në Drenicë.

“Të merrje një barrë të tillë, një amanet të merrje flamurin kombëtare në atë kohë aspak nuk ishte e lehtë. Këtë emision pastaj e kanë transmetuar edhe radio televizioni i Beogradit duke me cilësuar si terrorist në anën tjetër ka pasur edhe shkrime ka pasur edhe disa përpjekje jo të mira se në atë kohë ndodhen disa gjëra në Tiranë, por nuk besoj që është bërë më atë qëllimin dashakeq për faktin se u hoq edhe një flamur në Ambasadën Jugosllave dhe për hir së të vërtetës nuk e kam hequr atë. Por ka qenë dikush tjetër pavarësisht se kishte zëra, ai që e ka marr flamurin e Vlorës ka bërë edhe tërheqjen e flamurin nga Ambasada Jugosllave në Tiranë, nuk e kam bërë atë, unë kam bërë këtë që shihet përmes videos dhe e kam dërguar pikërisht përmes formës siç dihet ilegale të asaj kohe në Drenicë”, u shpreh ai.

Duke rrëfyer ngjarjet e asaj kohe, ai tregon detaje edhe për takimet që i kishte me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Posa e mora flamurin menjëherë e dija që do të vazhdoja luftën për në Kosovë dhe kam arritur të shkojë me një grup studentesh dhe jemi takuar në Krumë me disa nga udhëheqësit miqësore të shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku në mesin e tyre kanë qenë Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, komandant Plaku, por i cili nuk e ka kaluar kufirin me ne, profesor Nuri Bexheti dhe studentet të tjerë nga Drenica të cilët me të vërtetë e kanë dhënë një kontribut shumë të madh në luftën për çlirimin e Kosovës…Ka qenë me ne edhe një nga personat që ka dhënë dhe ka qenë pjesë e grupeve dhe si lulet e para të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Haki Hajdari i cili ishte edhe përgjegjës kryesor i kufirit të asaj kohe ndryshe siç e njihemi ne në atë kohe Haki Drenica dhe kemi filluar rrugën për në kufi që më të vërtetë ka qenë një rrugëtim shumë i vështirë… Diku në mbrëmje kemi arritur në shtabin kryesor të zonës operative të Drenicës në Likoc”, shprehet ai.

Madje, porosinë që ky flamur të arrinte në Kullën e Jasharëve ua kishte lënë edhe të tjerëve nga frika se ai nuk do të mund të arrinte atje i gjallë.

“Unë i lash edhe një amanet dikujt njërit nga pjesët e grupit aty se nëse unë mund të vritem pikërisht flamurin ta merr dikush tjetër, e rëndësishme ishte që flamuri të vinte në Drenicë. Po të njëjtën gjë kam bërë edhe kur kam ardh në Drenicë ku një ushtar i UÇK që ishte i ri në moshë e kisha edhe djalë të xhaxhait, Mustaf Syla atij i lash amanetin tjetër. Por nëse edhe ai do vritej domethënë kjo të shkonte të tjerët pikërisht që të ngritej flamuri atu ku e kishte qëllimin”, vijon ai me rrëfimin.

Në ditën më të rëndësishme të shtetit më të ri në Evropë, Syla ia arriti qëllimit për të cilin ishte përpjekur shumë. Ai ia dorëzoi flamurin Rifat Jasharit, flamur ky i cili vazhdon të valëvitet në këto kulla.

“Fillimisht pata takimin e parë që e kam pasur edhe flamurin ka qenë me Abedin Rexhën (Sandokani), dhe më pas edhe me njësitin “Ylli 98” ku kam qenë unë që kam vepruar atë kohë dhe kemi diskutuar se si t’ia bëjmë dhe ta ngrisim flamurin në ato momente në korrik të vitit 1998, apo kemi biseduar edhe në nëntor të atij viti por them të drejtën nuk u pajtuan aty duke ditur situatën e vështirë që do kalonte se edhe po ta ngrije duhej që ta mbroje. Misioni dhe qëllimi i atyre që kishin përgatitur këtë dhe i joni ishte që thuhet edhe në video në çlirimin e vërtet të Kosovës. Konkretisht në ditën e Pavarësisë së Kosovës në ora 11:00 ne kemi kryer amanetin tonë tek familja Jashari”, thekson ai.

Sabit Syla ka studiuar në Universitetin e Tiranës, ku ka përfunduar studimet master dhe ato të doktoraturës në drejtimin e Historisë.

Rrëfimi i tij për KosovaPress vjen në 14-vjetorin e shtetësisë së Kosovës.