Ishte 30 marsi i vitit 1842, kur u përdor për herë të parë anestezia nga dr.Krauford Long nëpërmjet përdorimit të eterit në një operacion kirurgjikal. Deri në atë moment për të lehtësuar dhimbjet ishin përdorur metodat më të çuditshme:goditjet në kokë, opiumi i injektuar në vena përmes puplave të patës etj.
Sipas Biblës, Adami ishte i pari që iu nënshkrua anestezisë:”Atëherë Zoti e futi njeriun në një gjumë të thellë; mori një nga brinjët e tij, dhe e mbylli plagën”. (Zanafilla 2:21). Po ky rast ishte një përjashtim, pasi për mijëvjeçarë, mjekët kanë shpuar, prerë dhe amputuar pa u shqetësuar për ta vënë pacientin në gjumë, dhe pa i dhënë asnjë lehtësim dhimbjes së tij.
Sipas studiuesit romak Celsus (shekulli I Pas Krishtit), kirurgu ideal ishte një kampion i ftohtësisë dhe “dehumanizimit”:”Ai duhet të jetë i ri, i guximshëm. Dora e tij duhet të jetë e qëndrueshme, dhe duhet të ketë një guxim të tillë që të shërojë cilindo që ka në duar. Nuk duhet të trembet kurrë nga britmat…por të vazhdojë të punojë, sikur ankesat e pacientit të mos i shkaktonin asnjë shqetësim”.
Deri në epokën e Rilindjes, ekzistonte bindja se qëndrueshmëria stoike ndaj dhimbjes ishte një shenjë burrërie, dhe se ulërimat dhe rënkimet vërtetonin suksesin e një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas mjekut grek Hipokrati (shekulli V-IV Para Krishtit), qetësimi i dhimbjes ishte madje një prerogativë hyjnore.
Ndaj nuk është çudi që “anesteziologët” e lashtë përdornin metoda të tmerrshme. Rreth 5 mijë vjet më parë asirianët praktikonin asfiksinë, pra shtypjen e venave karotideve në qafë të pacientit, për ta bërë atë të humbiste vetëdijen për shkak të mungesës së oksigjenit në tru.
E ngjashme ishte forma më e vjetër e anestezisë lokale:lidhja fort e një gjymtyre, duke e reduktuar ndjeshmërinë e saj. Prandaj, për shekuj me radhë, një gozhdë në kokë apo një grusht në nofull, ishin metodat më të zakonshme për ta çuar pacientin në një gjendje të fikëti, dhe për këtë arsye për të qenë i pandjeshëm ndaj dhimbjes.
Nga ana tjetër, egjiptianët ishin të parët që kuptuan se i ftohti e pengon qarkullimin e gjakut dhe ndjeshmërinë. Ata mblidhnin borën e rrallë dhe të çmuar të maleve, të cilët e ruanin në puse të posaçme, për ta përdorur si alternativë ndaj ujit të ftohtë.
Ndërkohë evolucioni i njohurive mbi bimët, çoi më pas në zbulimin e vetive qetësuese të lëndëve narkotike si opiumi, mandrake dhe kanabis indika. Opiumi (nga greqishtja ópion, qëo të thotë “lëng”), një substancë qumështore e përftuar nga prerja e mureve të kapsulave të papjekura të lulekuqes (Papaver somniferum album), ishte tashmë i njohur për sumerët që në vitin 3500 Para Erës Sonë si një ilaç për dhimbjen e dhëmbit.
Ndërkohë në Egjiptin e lashtë ai përdorej si qetësues. Edhe mandrake ishte një analgjezik natyral. Mjeku grek Dioskeridi (shekulli I pas Krishtit) e përdori për herë të parë fjalën anaistezi (në greqisht “mungesë ndjeshmërie”), pikërisht për të përshkruar efektet narkotike të kësaj bime, e cila përdorej e përzier me alkool.
Efektet e saj u konfirmuan edhe nga natyralisti romak Plini Plaku. Sipas tij mjaftonte të nuhasje pak mandrake herë para një operacioni për të rënë në gjumë. Është kjo arsyeja pse shumë mjekë të Pompeit e kultivonin këtë bimë në kopshtet e tyre.
Dioskoridi doli gjithashtu me një shpikje, që u përhap më pas në të gjithë Mesjetën:sfungjerine përgjumjes, ose spongia somnifera , një “bombë” e vërtetë narkotike e njomur në opium, kanape, lulëkuqe dhe mandrake. Në Mesjetë “lufta kundër dhimbjes” zhvillohej kryesisht me pije dhe ilaçe magjike.
Zbulimi i Amerikës nga evropianët, i shtuan përbërës të rinj. Për shembull, gjethet e kokës, të cilat indianët i përdornin për të mos ndjerë lodhje dhe për të mpirë gjuhën dhe buzët, ose Strychnos toxifera, që ishte një relaksues i aftë të paralizojë muskujt, dhe përdorej nga vendasit për të helmuar majat e shigjetave.
Por në anijet që lundronin në oqeane, marinarët e shekullit XVI përdornin metoda më spartane. Para se të niste operimin, mjeku i anijes fuste ndonjëherë një puro të madhe në anus, me shpresën se nikotina do ta mpinte dhimbjen. Megjithatë, më shpesh përdorej alkooli, që ishte për shekuj me radhë qetësuesi i preferuar nga kirurgët.
“Në luftërat e shekullit XIX-të, dehja e ushtarëve të plagosur para prerjes së gjymtyrës ishte një rregull”- thotë Paolo Vani profesor i kimisë mjekësore në Universitetin e Firences dhe njëhistorian i Kryqi i Kuq Italian. Por alkooli nuk ishte një anestezik aq efektiv, dhe operacionet shndërroheshin shpeshherë në përleshje të dëshpëruara midis pacientit nga ndihmësve tëmjekut që e mbanin fort që të mos lëvizte.
Ata që i mbijetonin këtij operacioni u jepej morfinë, e zbuluar në vitin 1805 nga Friedrih Shertyrner . Por kjo substancë (edhe kjo e nxjerrë nga lulëkuqja) nuk ishte shumë efektive kundër dhimbjeve akute, dhe për këtë arsye nuk përdorej si anestezik.
Në vitin 1847 dentisti amerikan Horas Uells ishte i pari që eksperimentoi mbi veten, duke shkulur 2 dhëmbë, virtytet anestezike të oksidit të azotit. Pak më vonë, mjeku obstetër
nga Edinburgu, Xhejms Simpson, ishte i pari që përdori kloroformin (të prodhuar në vitin1831 nga kimistët Suberain dhe Von Libig) tek gratë shtatzëna.
Por kthesa e vërtetë në luftën kundër dhimbjes erdhi me eterin:një substancë me të njëjtat efekte si oksidi i azotit, por 25-30 herë më pak toksike se kloroformi, dhe me karakteristika të ngjashme me ato të shumë anestetikëve modernë. I pari që e sintetizoi atë, duke përzier acidin sulfurik me alkoolin, ishte gjermani Valerius Kordus që në vitin 1564.
Ai që e kuptoi potencialin e tij si anestezik ishte dentisti amerikan Tomas Grien Morton. Më 16 tetor 1846 në sallën e operacionit të Spitalit të Përgjithshëm Masaçusets në Boston, ai bëri demonstrimin e parë publik të efikasitetit anestetik të eterit.
Marrë me shkurtime