Histori: Profili i Ferhat Dragës ne dokumentacionin shqiptar dhe serb

Promemoriet e Tiranës zyrtare, në janar−mars 1939 dëshmojnë se F. Draga ishte personi më influent në Kosovë, e padyshim vlerësohej si numri një aty nga Tirana zyrtare, e cila e mbështeste atë. Një dokumenti i 17 dhjetorit të vitit 1941, konfirmon peshën e F. Dragës dhe shqiptarizmin e tij të padiskutueshëm

Marenglen VERLI
Në Arkivin e Republikës së Shqipërisë (AQSH) ndeshen mjaft dokumente të burimeve shqiptare e serbe për Ferhat Dragën dhe bashkëpunëtorët e tij. Nga një sondazh pa shumë pretendime, rezulton se në vitet 1919 –1924 dokumentet, që kanë si burim kanalet diplomatike të shtetit shqiptar, fokusohen në veprimet politike të Ferhat Dragës dhe figurave të tjera të njohura të Xhemijetit. Diplomatët shqiptarë të akredituar në Jugosllavi, përkatësisht në legatën në Beograd dhe në konsullatën në Shkup, përcjellin në Tiranë tekste të debateve të zhvilluara në interpelancat parlamentare në Skupshtinën jugosllave, midis F. Dragës, njeriut të tij, edhe ai deputet, Aqif Blutës, përfaqësues i Novi Pazarit , si edhe informata për qëndrimet politike të kandidatëve që figuronin në listat e partive. Gjithashtu, raportet e dërguara në Tiranë përmbajnë të dhëna për kandidatët e Xhemijetit fitues në zgjedhjet parlamentare dhe komunale e bashkiake .

Një marrëveshje për prapësimin e kolonizimit të tokave shqiptare
Me interes të veçantë janë njoftimet për kombinacionet politike dhe aleancat që F. Draga realizonte me partitë e tjera politike në Mbretërinë e Jugosllavisë me atributet e kryetarit të Xhemijetit. Në këtë kuadër vlejnë të përmenden disa pika të marrëveshjes së F. Dragës me ministrin e Drejtësisë së Partisë Radikale të Nikolla Pashiqit, të arritur më 11 shkurt të vitit 1923, marrëveshje që u pranua nga Këshilli i Ministrave, si edhe nga organet drejtuese të Xhemijetit me qendër në Shkup. Në pikën tre, thuhej tekstualisht: “Rregullimi i çështjes agrare [bëhet] mbi bazën që çdo pronari t’i lihen 30 ha tokë dhe të largohen nga kjo tokë tërë bujqit (lexo: kolonët sllavë) e instaluar gjer tashti padrejtësisht”. Në këtë mënyrë, F. Draga synonte të shmangej shpronësimi i masës dërrmuese të pronarëve shqiptarë dhe të prapësohej kolonizimi me elementë sllavë i viseve shqiptare, i cili kishte filluar që në vitin 1913−1914.

Pika katër siguronte shpërblim monetar për tokën që sipas ligjit u merrej pronarëve. Në këtë pikë nënvizohej se duhej “T’u paguhej pronarëve të vjetër vlera e tokës, që është ndarë sipas ligjit agrar, me çmimin e caktuar”, kurse pika pesë, me formulimin “të hiqen tërë sekuestrot nga pronat e atyre personave që ndodhen brenda shtetit, si edhe atyre që vërtetojnë me dokumente mosarratisjen e tyre”, synonte të shpëtonte nga goditja e autoriteteve agrare të gjithë atë kategori të popullsisë, që prekej me pretekstin se ishte kundërshtare politike e regjimit dhe luftonte për përmbysjen e tij.

Interesant ishte edhe pika gjashtë, ku pranohej “të çelen shkolla në gjuhën turqishte dhe shqipe, sipas nacionalitetit të myslimanëve”. Me këmbënguljen e F. Dragës, në marrëveshjen e 11 shkurtit 1923 shënohej se duhej “të ndalej kolonizimi me elementë të huaj në Kosovë dhe Metohi”, çka, nëse zbatohej, i priste rrugën transformimit etnik dhe sllavizmit të viseve shqiptare. Kurse në pikën tetë, F. Draga kishte insistuar edhe për dënimin e fajtorëve, përkatësisht funksionarëve dhe civilëve serbë që kishin organizuar para pak kohe terror e gjakderdhje në Mitrovicë gjatë fushatës zgjedhore, për të penguar zgjedhjen e kandidatëve të Xhemijetit10. Krahas dokumenteve, ekzistojnë të ruajtura në Arkivin Shtetëror edhe kopje të gazetave që bëjnë fjalë për F. Dragën. Një numër i gazetës “Liria Kombëtare” që dilte në Gjenevë, për shembull, njoftonte më 1 janar 1928, për lirimin e F. Dragës nga burgu ku ishte mbajtur për tre vjet. Ai ishte dënuar me 20 vjet, shkruhej në gazetë, por “duke parë përshtypjen e keqe që ky dënim kishte bërë në popullin shqiptar të Kosovës, “gjyqi i diktimit e kishte nxjerrë të pafajshëm”.

11 Në vitet 30−të në informacionin e përcjellë në Tiranë nga stafi diplomatik i Shqipërisë i akredituar në Jugosllavi, shfaqen, krahas emrave të figurave politike shqiptare anëtarë të partive politike jugosllave të kohës (parti që u krijuan pas riorganizimit të jetës parlamentare, që pasoi diktaturën e mbretit Aleksandër, realizuar nga gjenerali Zhivkoviç, edhe përpjekjet e F. Dragës për t’i bërë presion qeverisë jugosllave, veçanërisht asaj të M. Stojadinoviçit (në pushtet që nga viti 1935), duke aktivizuar politikanë shqiptarë të kohës me anëtarësi në partitë ekzistuese jugosllave, ose me detyra në administratën vendore, komunale e bashkiake, si edhe duke akorduar me grupimin politik boshnjak të Mehmet Spahos etj.

Në mbrojtje të interesave shqiptare

Përmes presioneve të llojllojshme, veçanërisht përmes promemorieve, sikurse ishin promemoriet e rëndësishme të viteve 1935, 1938 dhe 1939, F. Draga doli përsëri në mbrojtje të interesave të popullsisë shqiptare. Është me interes të perifrazojmë disa pasazhe nga promemoriet që iu dërguan, natyrisht në gjuhën serbe, M.Stojadinoviçit. Në promemorien e 17 tetorit 1935, F. Draga theksonte se reforma agrare kolonizuese në “viset e jugut” kishte krijuar për myslimanët e atjeshëm një “gjendje fare të padurueshme”, se aty u “merrej padrejtësisht krejt pasuria e paluajtshme”, se gjykimet ishin krejtësisht arbitrare, se gjeometrat vepronin kundër pronarëve myslimanë dhe se shpërblimet që iu premtoheshin këtyre ishin qesharake.

Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, shkruante F. Draga, përderisa të gjithë nëpunësit e zyrave agrare e “proklamojnë çdo mysliman si të dëmshëm dhe që ‘nevojitet thjesht me e vra’. Madje, shprehej ai, “as vakëfet fetare myslimane dhe varrezat nuk janë të përjashtuara prej reformës së mbrapshtë agrare”. “Nën pretekstin se janë mbjellë kullota shtetërore, vijonte akuzat F. Draga, autoritetet agrare iu kanë marrë banorëve në shumë katunde edhe gjithë korrjen e vitit”, të cilën pastaj sekserët serbë ua shesin shtrenjtë ndonjëherë të zotëve të mëparshëm”. Së fundi, F. Draga kërkonte ndaljen e procesit që, “nën pretekstin e zbatimit të Ligjit agrar dhe të kolonizimit, ka marrë formën e një gjuetie të vërtetë kundër myslimanëve të viseve të Jugut …” si dhe dënimin e të gjithë nëpunësve agrarë që shpërdoruan detyrën dhe gjithë atyre personave që do t’u vërtetohej se bënë dëshmi të rreme.

Afrimi i zgjedhjeve të 30 majit 1937, sipas njoftimit të legatës shqiptare në Beograd, e gjeti shumë aktiv F. Dragën. “Elementi intelektual i shqiptarëve të Kosovës, thuhet në këtë njoftim, i shtrënguar rreth z. Ferhat Dragës, po punon me të gjithë fuqinë e tij, natyrisht në krye të studentëve të ditur (për të cilët ka dijeni – M.V.) nga MPJ, të cilët me radhë po vizitojnë qendrat e ndryshme të krahinave të tyre, me qëllim që të bëjnë propagandë për listën e F. Dragës, që mban emrat e shqiptarëve më të kulluar të Kosovës”. Sipas njoftimit të legatës, F. Draga dhe bashkëpunëtorët e tij mendonin se mund të konkurrohej me sukses lista qeveritare e të fitoheshin nja 15 vende, nga 27 vende, që ishin në konkurrim. Një vit më pas, F. Draga ishte më aktiv se kurrë.

Kryediplomati shqiptar në Beograd, Tahir Shtylla, njoftonte më 10 korrik 1938 MPJ në Tiranë, se F. Draga kishte takuar në Turqi Hasan Rizanë, Sekretarin e Përgjithshëm të Kryesisë së Republikës Turke. Sipas T. Shtyllës, “ky zotëri ishte i lindur në Kosovë dhe qe mik i të ndjerit Nexhip Dragës [vëllait të Ferhatit] dhe gjithë familjes së Dragajve”. T. Shtylla theksonte se Ferhati u takua dy herë me H. Rizanë dhe e informoi se si qëndronte e vërteta për minoritetin turk dhe shqiptarët në Jugosllavi. Në takimin e dytë Hasani i kishte treguar F. Dragës se “ia kish thënë Ataturkut një nga një dhe me të gjitha hollësitë fjalët e tij, të cilat kryetari i shtetit turk, i kish dëgjuar me kujdes të veçantë”. Ataturku kishte thënë se e njihte personalisht Nexhip Dragën, dhe se, kur kish qenë në detyrë në Maqedoni, “kishte ngrënë bukë në shtëpinë e tij”.

Më tej, ai, përmes Hasanit, i kishte dërguar përshëndetje N. Dragës, duke e ftuar të rrinte i qetë, sepse do t’ia plotësonte dëshirën. Ataturku qe shprehur se “vërtet u përgatit Konventa [Jugosllavo− Turke për shpërnguljen e 11 korrikut 1938], por ajo kërkonte ratifikimin e Guvernës dhe kjo nuk do të bënte kurrë një gjë që ishte në kundërshtim me realitetin dhe me dëshirat e shfaqura nga ana e tij”. Memorandumi i dytë i rëndësishëm i F. Dragës, adresuar ministrit Mehmet Spaho, mban datën 23 gusht 1938. Ky dokument mjaft i argumentuar kundër veprimeve të jashtëligjshme që ndërmerrnin autoritetet agrare jugosllave ndaj pronarëve shqiptarë në Kosovë e më gjerë, dëshmon për angazhimin serioz të Dragës për të penguar shpronësimin e popullsisë shqiptare.

Për Tiranën zyrtare, F. Draga shqiptari më i vlerësuar
Duke shfrytëzuar koniunkturat politike dhe konfigurimin e kabinetit, memorandumi jo rastësisht iu paraqit politikanit potencial boshnjak, Mehmet Spahos. Është interesant të përmendet se, përveç fakteve të shumta që përmenden për të treguar se shpronësimi bëhej duke shkelur çdo ligj, me tendencën për të shpronësuar tërësisht pronarët shqiptarë, në memorandum ceket edhe ndalimi i paprecedent i arsimit në gjuhën shqipe. “Shteti ynë për pakicat hungareze e gjermane ka bërë diçka, shprehet F. Draga, por për shqiptarët nuk ka bërë asgjë … nuk ka asnjë shkollë fillore, asnjë gazetë … Në qoftë se këtij inferioriteti kulturor, vijon F. Draga, i shtohet edhe shkatërrimi ekonomik, … atëherë vendet e banuara nga shqiptarët do të paraqisnin oaze të çuditshme në zemër të Evropës, një pakicë unike të zhveshur prej të drejtave elementare …”.

Rezultati i intervenimit të nxitur nga F. Draga nuk mungoi. M. Spaho i bëri presion kryeministrit Stojadinoviç dhe ky ngarkoi ministrin pa portofol, Xhafer Bej Kulenoviçin, të bënte një raport të argumentuar mbi padrejtësitë që u ishin bërë shqiptarëve myslimanë nga zbatimi arbitrar i ligjit të reformës agrare dhe ligjit për kolonizimin e “Serbisë Jugore”. Sikurse njoftonte Legata shqiptare në Beograd Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, se ajo, me anën e F. Dragës, i kishte vënë në dispozicion Kulenoviçit “një material gjerësisht të dokumentuar mbi grabitje të tokave të shqiptarëve”. Për Tiranën zyrtare, F. Draga ishte shqiptari më i vlerësuar brenda Mbretërisë Jugosllave. Tahir Shtylla, më 24 gusht 1938, i shkruante konsullit shqiptar në Manastir: “… në Jugosllavi bashkëpunojmë me dy kategori njerëzish: − Me ata që nuk kanë pozita qeveritare dhe janë shqiptarë të flaktë, e hidhen në zjarr kurdoherë që ta kërkojë nevoja dhe me ata që kanë pozita qeveritare dhe bëjnë një politikë oportuniste gjithandej … për të shpëtuar vëllezërit e tyre. Nga kategoria e parë, për fat të keq, kemi pak vetë që shquhen, si bie fjala Ferhat Bej Draga, Xhevat Begolli, Iliaz Prishtina etj. …” Por, shprehej diplomati Shtylla, midis bashkëpunëtorëve tanë ka grindje të mëdha. Duke cekur këtë plagë të hershme, ai rekomandonte që Tirana të mos përzihej në këto grindje, dhe nëse do të ishte e shtrënguar ta bënte, ndërhyrja duhej të synonte pajtimin e bashkimin dhe “jo të dëgjojmë akuzat e njërit dhe të tjetrit”.

Problemet politike të Jugosllavisë, të rritura pas presioneve, që gjithë shtetet multinacionale të Evropës patën nga agresiviteti i Rajhut Gjerman, të artikuluar fort edhe në Mbledhjen e njohur të Munihut, ndikuan në rritjen e peshës së faktorit shqiptar dhe elitës së tij politike. Më 27 tetor 1938 F. Draga u prit nga M. Stojadinoviçi, që kërkonte vota për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, i vënë nën presionin e opozitës, e cila kërkonte nga Qeveria respektimin e detyrimeve të Jugosllavisë në kuadrin e “Antantës së Vogël”, në rast se Çekosllovakia kërcënohej nga kufiri i Hungarisë. Më 1 dhjetor F. Dragës i dha audiencë, regjenti i Jugosllavisë, princi Pavle Karagjeorgjeviç, i cili u shpreh i paditur e i çuditur për mjerimet e shqiptarëve, për dhunën e shtuar gjatë nëntorit dhe për rrezikun e spastrimit etnik që sillte zbatimi i Konventës me Turqinë. Ai premtoi se do të ndalonte shpronësimin dhe shpërnguljen e shqiptarëve dhe i kërkoi Dragës të mbështeste qeverinë, duke i ofruar hapur një vend në senat. Në rrethanat e krijuara në Jugosllavi në periudhën dhjetor 1938 – mars 1939, Tirana zyrtare u kujdes posaçërisht për çështjen e shqiptarëve atje, duke u mbështetur forcat te F. Draga.

“Të mbledhim në Belgrad dhe, sa të jetë e mundur në Shkup, udhëzonte legatën, përmes një promemorie, Ministria e P. të Jashtme e Shqipërisë, Ferhat Beun me shokët e tij, deputetët, senatorët, parësinë e Kosovës, fetarët muhamedanë dhe të gjithë bashkëpunëtorët tanë, të cilëve t’u trajtojmë situatën e vërtetë …, si edhe t’i informojmë për përpjekjet që bëhen nga shteti shqiptar pranë autoriteteve në Turqi dhe pranë Fuqive të Mëdha e qeverive mike, për të mbrojtur shqiptarët në Jugosllavi. “Ferhat Draga, vijonte udhëzimi, sipas urdhrit të Naltmadhërisë së Tij, Mbretit, të vejë në Turqi dhe po të jetë që nuk e gjykon të rrezikshme për kthimin e tij në Jugosllavi, të kthehet këtu në Shqipëri për disa ditë …, duhet që ne dhe shqiptarët e Kosovës të punojmë që ta ngrehim prestigjin e tij në Kosovë, sepse … personi i tij është më i dobishmi për të mbajtur lart kurajën e kosovarëve …”. Edhe në promemorien e fundit, që nxori MPJ e Shqipërisë disa ditë para pushtimit të vendit nga Italia, F. Draga dëshmohet si figura e parë ndër shqiptarët në Jugosllavi.

Në këtë promemorie, e cila mban datën 20 mars 1939, kohë kur rotacioni politik kishte larguar Stojadinoviçin, duke e zëvendësuar me qeverinë e Cvetkoviçit, kërkohet të krijohet një Komitet, nën kryesinë e F. Dragës. Programi i tij do të duhej të ishte ndalimi i shpronësimit dhe i shpërnguljes së shqiptarëve drejt Turqisë, mandej të drejtonte Komitetin Muhamedan të Shkupit, të organizonte elementin fetar muhamedan e të krishterë, të organizonte propagandë kombëtare në Kosovë, të afronte brezin e ri etj. Promemoria trajtonte edhe mënyrat si duhej vepruar konkretisht. F. Draga do të shfaqej në mbrojtje të interesave të shqiptarëve të Kosovës edhe pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Më 6 tetor 1939, ai i dërgonte ministrit jugosllav të Drejtësisë, Lazar Markoviçit, një promemorie të re, shumë të argumentuar, për padrejtësitë që bëheshin mbi shqiptarët e Kosovës në emër të reformës agrare nga autoritetet jugosllave.

“Sistematikisht i persekutuar”
Mbrojtja që F. Draga i kishte bërë gjithnjë kauzës shqiptare, dëshmohet edhe nga një informacion rezervat, të cilin Ministria e Tokave të Lirueme ia dërgonte, më 17 dhjetor 1941, mëkëmbësit të Mbretit të Italisë në Shqipëri, F. Jakomonit. F. Draga thuhet në të “ka qenë sistematikisht i persekutuar nga të gjitha regjimet e Beogradit, në çfarëdo mënyrë shtypjeje, që nga burgimi deri te sekuestrimi i pasurive të tij …”. Sigurisht, “fronti” që krijoi Nexhipi e më pas F. Draga, që nga viti 1919 nuk ishte në unitet, grupet që u përfshinë në Xhemijet, nuk ishin në akord për çdo gjë e gjithnjë.

Përpjekjet e cedimet që F. Draga bënte për të ruajtur kompakte organizatën, apo partinë e Xhemijetit dhe njëherësh lëshimet e reduktimi i kërkesave përballë politikës së partive e qeverive serbe, që me rotacion dominonin pushtetin në Beograd, e dobësuan forcën e Xhemijetit dhe mundësinë e F. Dragës për të pasur rezultate më të dukshme në interes të mbrojtjes së popullsisë shqiptare. Lëshimet politike të diktuara nga mozaiku nacional i myslimanëve në trevat ku u shtri veprimtaria e Xhemijetit, mbështetja e kësaj organizate në linjën fetare etj. sigurisht kishin kosto jo të pakët … Por, ç’mund të bëhej më shumë në rrethanat e atëhershme, ose ç’mund të bëhej ndryshe ? … Promemoriet e Tiranës zyrtare, në janar−mars 1939 e ndonjë dokument tjetër, dëshmojnë se F. Draga ishte personi më influent në Kosovë, e padyshim vlerësohej si numri një aty nga Tirana zyrtare, e cila e mbështeste atë. Dokumenti i sipërcituar, i 17 dhjetorit të vitit 1941, konfirmon peshën e F. Dragës dhe shqiptarizmin e tij të padiskutueshëm. (Marrë nga revista Scupi)

P.S. Për shkaqe teknike poshtëshënimet janë mënjanuar