Hiqet ora policore, shtohen mysafirët në dasma

Për shkak të shifrave të ulëta të infektimeve me Kovid 19, Komisioni për Sëmundje Infektive ka propozuar masa të reja lehtësuese, të cilat ngjajnë me situatën e para pandemisë. Pa orë policore dhe pa kufizime për të gjitha llojet e organizimeve për ahengje të ndryshme, këto masa Komisioni i arsyeton në situatën e mirë epidemiologjike, të cilën për momentin e ka vendi.

Ministria e Shëndetësisë
“Nga e mërkura, 16 qershor, plotësisht të hiqet ora policore, të hiqet kufizimi nga maksimum 100 mysafirë në dasma dhe ahengje dhe të lejohet organizimi i ngjarjeve, koncerteve dhe ahengje në klube nate dhe lokale, vetëm në ambient të hapur, me kapacitet prej maksimum 50% të objektit dhe jo më shumë se 1000 persona”.

Të njëjtat masa janë pranuar nga Shtabi i Krizës dhe pas miratimit të Qeverisë, do të hyjnë në fuqi.
Përndryshe edhe më 1 qershor u lehtësuan disa masa ku Shtabi kryesor koordinues pranoi rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive për shfuqizimin e masës për mbajtje të maskës në ambient të hapur. Megjithatë mbeti në fuqi masa për mbajtje të maskës në transport publik, taksi dhe në të gjitha hapësirat e mbyllura. Gjithashtu, u shfuqizua masa për ndalesë të grupimit në hapësirë publike të më shumë se 4 personave.

Po ashtu u lejua organizimi i dasmave, festimeve në ambient të hapur/tarraca verore deri në 100 persona, po jo më shumë se 50% nga kapaciteti i hapësirës dhe deri në maksimum 6 persona në një tavolinë me sigurim të distancës mes personave. Prania e muzikantëve u lejua vetëm gjatë organizimit të dasmave, në pajtueshmëri me protokollet. rrit numri i personave që lejoheshin të ulen në një tavolinë prej 4, në 6, por me distancë.
Përndryshe, numri i përgjithshëm i pacientëve pozitivë dhe të dyshuar për koronavirus që trajtohen në repartet e sëmundjeve infektive në kryeqytet dhe në spitalet në të gjithë vendin është 99, ndërsa në qendrat kovid ka rreth 550 shtretër të zbrazët spitalor.