Hezbollahu e godet veriun e Izraelit me 140 raketa

Hezbollah, grupi libanez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, e ka goditur veriun e Izraelit me 140 raketa të premten, thanë ushtria izraelite dhe grupi militant.

Ky sulm u krye një ditë pasi lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u zotua për hakmarrje ndaj Izraelit për shpërthimet vdekjeprurëse të pajisjeve të telekomunikimit në Liban këtë javë.

Ushtria izraelite tha se kishte tri valë sulmesh me raketa të premten pasdite dhe se shënjestër e tyre ishin zonat përgjatë kufirit të rrënuar me Libanin.

Hezbollahu tha se i goditi disa zona përgjatë kufirit me Izraelin duke përdorur raketa Katyusha, si dhe bazat e mbrojtjes ajrore dhe selinë e një brigade të blinduar izraelite.

Grupi militant tha se sulmi raketor ishte hakmarrje për sulmet e Izraelit në fshatra dhe shtëpi në jug të Libanit.

Hezbollahu edhe Izraeli kanë këmbyer zjarr pothuajse çdo ditë prej 8 tetorit, një ditë pasi nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Megjithatë, sulmi raketor i së premtes ishte më i madh se zakonisht.

Nasrallah u zotua të enjten për vazhdimin e sulmeve të përditshme ndaj Izraelit, pavarësisht sulmit vdekjeprurës të kësaj jave në pajisjet e komunikimit të anëtarëve të saj.

Së paku 37 njerëz u vranë dhe më shumë se 3.000 të tjerë u plagosën kur shpërthyen së pari pejxherët dhe pastaj radiolidhjet e përdorura nga anëtarët e Hezbollahut në dy valë sulmesh të martën dhe të mërkurën.

Libani dhe Hezbollahu e akuzojnë Izraelin për kryerjen e këtyre sulmeve, por Izraeli nuk ka pranuar e as mohuar përfshirjen, raporton REL.