Në Maqedoni në hetim e sipër janë shumë procese gjyqësore që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e mjeteve financiare nga arka e shtetit, por ekspertët e drejtësisë thonë se përderisa procesi i konfiskimit të pasurisë së ish-zyrtarëve të lartë të shtetit nuk lëviz nga pika zero, ndërkohë që janë në bankën e të akuzuarve, kjo dëshmon se jemi larg sundimit të drejtësisë.
Nga policia financiare, pas publikimit se janë kthyer në arkën e Komunës Qendër të Shkupit më shumë se 400 mijë euro, mjete këto të keqpërdorura dhe është ngritur padi penale ndaj ish-kryetarit të kësaj komunë, theksojnë se pavarësisht vështirësive, mbeten të vendosur për zero-tolerancë sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Drejtori i Drejtorisë së policisë financiare në Maqedoni, Arafat Muaremi, për Radion Evropa e Lirë bën të ditur se janë duke u zhvilluar shumë hetime të iniciuara sa i përket keqpërdorimit të mjeteve nga buxheti i shtetit që ndërlidhen me projektin disamilionësh “Shkupi 2014”.
Muaremi zotohet se do të ndiqen penalisht të gjithë ata që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe se janë iniciuar procese hetimore, si për ish-funksionarë ashtu dhe për funksionarë, të cilët aktualisht janë në detyrë. Megjithatë, ai nuk jep më shumë detaje, sepse procesi është në fazë parahetimore.
“Policia financiare, përmes të gjitha mekanizmave që ka, insiston që paratë e fituara në mënyrë joligjore, të kthehen në arkën e shtetit për t`u konvertuar si të mira materiale të përgjithshme për të gjithë qytetarët. Mirëpo, do theksuar se në procesin e kthimit të parave varet nga disa institucione siç është policia financiare që duhet të sigurojë argumente për arsyen se pse kërkohen të kthehen këto mjete, pastaj është Prokuroria që vazhdon procesin hetimor, dhe më pas i gjithë procesi vazhdon në gjykatë ku gjykata është ajo që duhet të marrë vendim duke përcaktuar një herë përgjegjësinë penale dhe pastaj vlerën, e cila është keqpërdorur dhe duhet të kthehet sërish në arkën e shtetit”, thekson Muaremi.
Sipas tij, pjesa më e vështirë mbetet kthimi i parave të vjedhura që është nxjerrë jashtë Maqedonisë, megjithëse shton një gjë e tillë nuk është e pamundur.
“Ka shumë vështirësi sa i përket kthimit të mjeteve të keqpërdorura nga arka e shtetit, të cilat tanimë janë tërhequr jashtë Maqedonisë, sepse pjesa më e madhe atyre mjeteve janë dhënë kesh, që nënkupton si mjete të gatshme në dorë. Pra, bëhet fjalë për mjete, të cilat rrjedhin nga korrupsioni, e që paraqet shumë vështirësi në përcaktimin e vlerës së këtyre mjeteve”.
“Po të gjitha vështirësitë në këtë rast kanë një të mirë – këto para patjetër duhet të legalizohen, përkatësisht në mënyrë legale është dashur të kthehen në vend në investime dhe në këtë drejtim ne, si polici financiare, i vazhdojmë hetimet”, thekson Muaremi.
Por, kryetarja e organizatës jo-qeveritare “Transparancy International” për Maqedoni, Sllagjana Taseva, thotë se procesi i hetimeve është një proces i gjatë dhe shumë i vështirë që kërkon shumë mund dhe ekspertë të fushave të ndryshmë.
Ajo shton se nuk mund të jemi optimistë se paratë e vjedhura përmes tenderëve të kurdisur gjatë realizimit të projektit “Shkupi 2014” në një afat të shkurtër kohor do të kthehen në duart e qytetarëve.
Taseva thotë se ligjet nuk janë dhe aq këqija, por problemi është te mungesa e praktikës që prona e fituar në mënyrë jolegale të konfiskohet.
“Problemi më i madh qëndron te mungesa e praktikës që institucionet të veprojnë në mënyrë të sinkronizuar për konfiskimin e pronës së fituar në mënyrë ilegale sesa te ligjet”, thekson ajo, duke shtuar se pikërisht për këtë duhet të realizohen me hapa të përshpejtuar reformat në sistemin gjyqësor që sundimi i drejtësisë të jetë funksional në praktikë.
Ku bëhet fjalë për paratë që kanë dalë jashtë vendit, Taseva thotë se rezultatet duhet të jenë të dukshme në Maqedoni dhe më pas të kërkohet që të veprojnë organet e drejtësisë në ato shtete ku ka indicie se janë derdhur paratë e keqpërdorura nga arka e shtetit.
Duke komentuar zotimin e kryeministrit të Maqedonisë, Zoan Zaev, se do të vendosë shumë shpejt një numëratore në Portën Maqedonia, që do të shënojë çdo denar të vjedhur që me vendim gjyqësor arrin t’u kthehet qytetarëve, Taseva thotë se procesi është i vështirë për shkak të proceduarve të stërzgjatura në sistemin gjyqësor./rel