Rastin e “Doktorit fantom” e kanë marr në dorë autoritetet hetuese. Nga Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor njoftojnë se kanë bërë denoncimin në polici. MPB në koordinim me prokurorinë do të shqyrtojnë dosjen e mjekut, i cili i dha terapi anti-kovid pa asnjë evidencë mjekësore një paciente nga Shkupi. Ministri Filipçe bëri të ditur se pacientja për dy javë është mbajtur me infuzione dhe pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore ajo ndërroi jetë vetëm disa orë pas ishte shtruar në spital.
Ky rast është ende duke u hetuar, e vetmja gjë që dihet deri më tani është se rasti është raportuar nga një mjek nga Spitali “8 Shtatori” i cili ka bërë pranimin e pacientes. Mjeku amë ka të drejtën ekskluzive për të komunikuar dhe dhënë rekomandime për trajtimin në shtëpi, kryesisht për shkak të mundësisë për të komunikuar me pacientin 24 orë në ditë, për të vlerësuar gjendjen, për të thënë nëse është për trajtim në shtëpi apo eventualisht për t’iu referuar një mjeku specialist dhe për shtrimin në spital. Pra, kjo është e vetmja gjë që është e mundur dhe e vetmja gjë që sistemi rekomandon dhe lejon”, tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Dyshimet janë se raste të tilla ka shumë kur mjekët privatisht japin terapi ilegale nëpër vizita shtëpiake, duke i mbajtur pacientët jashtë sistemit të kurimit adekuat spitalor. Kjo pistë hetimi pritet të zbuloj rrjetin e mantel bardhëve, të cilët për përfitime financiare, shpesh ua rrezikojnë jetën pacientëve. Për ish-Ministrin Danillovski ky skandal është maja e ajsbergut fenomen i cili duhet të ndalet me dënim.
Ata që punojnë me kovid pacientë iu dhanë shpërblim njëherë disa shuma simbolike dhe supozoj se natyra njerëzore siç është, në kushte të tilla me sfida dhe nxitje, disa nga kolegët, nuk jemi të gjithë të njëjtë me cilësi të larta morale dhe dikush do të joshet të provoj një mënyrë të tillë me mjekim në të zezë për përfitime materiale. Kjo nuk mund të falet andaj ekzistojnë organet e drejtësisë që do ta sanksionojnë rastin”, theksoi Dragan Danillovski, ish-Ministër i Shëndetësisë.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik shumica e pacientëve të vdekur nga virusi korona kanë ndodhur në kushte spitalore, por ata shumë vonë kanë kërkuar ndihmë në spitale. Jo zyrtarisht, po hetohet nëse ka keqpërdorime edhe të sasive të barnave spitalore për terapi anti kovid gjatë kurimeve shtëpiake.