Heshtje në BFI për zgjedhjet e brendshme

Bashkësia Fetare Islame mbetet i mbyllur për mediat dhe opinionin. Katër muaj pas largimit të Rexhepit, ushtruesi aktual i detyrës reis Shaqir Fetahu, heziton të përgjigjet në pyetjet e Alsat lidhur me organizimin e zgjedhjeve në BFI. Nga ky Institucion madje nuk përgjigjen as pyetjeve se cilat janë arsyet konkrete për shkarkimin e Rexhepit e as për keqpërdorimet eventuale të bëra.

Nga Kabineti i Fetahut, nuk përgjigjen as në pyetjen nëse kanë filluar hetimet për keqpërdorimin eventual të fondeve të këtij Institucioni nga udhëheqësit e kaluar. Po ashtu heshtin edhe për atë se si u mundësua që në vakëfin e BFI-së që ndodhet tek ish-higjiena komunale të ndërtohet ndërtesë e madhe dhe a është shitur ky vakëf.Pyetjeve të dërguara, nga BFI iu përgjigjën se reisi sot është i zënë me obligime dhe nuk mund të flasë. Pretendojnë se pyetjeve u janë përgjigjur rreth tre muaj më parë.

BFI
“Reisi është i zënë, ndërsa këtyre pyetjeve iu përgjigj në takimin me gazetarët më 16.06.2020”.
Megjithatë, që atëherë kreu i BFI-së Shaqir Fetahu, asnjëherë nuk ka dhënë përgjigje konkrete për pyetjet e mediave. Ai në korrik u shpreh se po bëjnë analiza në BFI dhe premtoi se në çdo moment do të jenë transparent me gazetarët.

“Është më se e vërtetë se tani kemi analizuar situatën e BFI-së. Në momentin kur do të vendosim, ne do u thërrasim të gjitha mediave, ku do ti shpalosim mendimet tona në lidhje me këto çështje. Ne kemi thënë se do të jemi të hapur për të gjitha mediat, jo vetëm kështu nëpër prese të ndryshme. Jemi të gatshëm që të marrim pjesë edhe në emisione të juaja, intervista e kështu me radhë”
Në fund të muajit maj, Rijaseti i BFI-së shkarkoi ish-kryetarin Sulejman Rexhepi dhe zgjodhi si ushtrues detyre Shaqir Fetahun, i cili ushtronte pozitën e Muftiut të Gostivarit. Fetahu ka për obligim të organizojë zgjedhje në BFI për të zgjedhur reis të ri.