Helmimi i qytetarëve në Deçan, Krasniqi: Jam i brengosur për neglizhencën e Qeverisë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me gjendjen e rëndë nëpër të cilën po kalojnë qytetarët e Deçanit, pas dyshimit të he*lmimit nga uji.
Krasniqi në një postim në Facebook tha se he*lmimi i qytetarëve të kësaj komune nuk është vetëm çështje e shëndetit publik, por edhe çështje e sigurisë nacionale dhe kërkon mobilizim të gjithëmbarshëm të të gjitha niveleve të qeverisjes.

“Jam i brengosur edhe për neglizhencën e Qeverisë qendrore, e cila me shumë vonesë po e trajton situatën, në kohën kur duhet të jetë plotësisht pranë qytetarëve të kësaj komune.
Duhet të ndërmerren masa të shpejta për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të dë*mtuar, mes tjerash duke siguruar medikamente, staf shëndetësor shtesë, si dhe ujë të pijes të sigurt”, shkroi ai.

“Po ashtu, duhet ofruar gjithë ndihmën e nevojshme institucioneve lokale dhe siguri për të gjithë qytetarët e Deçanit, duke mos lënë hapësirë për panik.
Ftoj institucionet përgjegjëse që ta hetojnë rastin dhe të dalin me konkluzione sqaruese sa më shpejt”, shtoi Krasniqi.