Helmime nga pijet e gazuara në Kroaci-Ministri apelon qytetarët të pijnë vetëm ujë

Katër persona janë shtruar në spital për shkak të helmimit me një pije të gazuar në Kroaci. Tre persona përfunduan në një spital në Zagreb dhe një në Rijekë.

Një i ri është shtruar të martën në Qendrën Spitalore Klinike në Zagreb, i cili dyshohet se është helmuar pasi ka pirë pijen romerquelle në një kafene.

Policia po kryen këqyrjen dhe marrjen e mostrave të pijes së kontestuar për analiza dhe hetime të mëtejshme.

Instituti Kroat i Shëndetit Publik ka marrë mostrat e pijeve joalkoolike që inspektimi sanitar i ka dorëzuar pas një hetimi në një kafene në Rijekë, ku një person së fundmi është sëmurë dhe rezultatet e analizave do t’i dërgohen Inspektoratit Shtetëror.

Bëhet fjalë për një të ri 19-vjeçar, i cili përfundoi në spitalin e Rijekës me plagë të rënda në ezofag dhe stomak pasi kishte pirë një pije freskuese në një restorant.

Ndonëse ka ndodhur të shtunën e 4 nëntorit, asnjë nga autoritetet nuk ka reaguar deri të martën dhe mesazhet për helmimet e dyshuara janë përhapur gjerësisht në rrjetet sociale.

Raportet thonë se acidi kërcënues për jetën përfundoi në shishe pasi tubat u lanë me kimikate në një fabrikë pijesh.

Ministri kroat i Shëndetësisë Vili Beros u tha qytetarëve se është mirë të pini ujë, pasi në këtë kohë askush nuk mund të thotë nëse është e sigurt të konsumohen pije të gazuara.

Mediat kroate përmendin edhe rastet e një djali në Krapinë që përfundoi në spital disa javë më parë pasi kishte pirë lëng molle dhe një burri nga Pula, ezofagu i të cilit u plagos rëndë pasi kishte pirë një gotë me ujë mineral në një restorant në Rijekë në maj.