Një ngjarje e rëndë përsëritet sot në shkollën e mesme të Përgjithshme “Janaq Kilica” në qytetin e Fierit. Mbi 30 nxënës sipas burimeve të Dosja.al janë dërguar me shenja të rënda helmimi në spital, pasi janë ndjerë keq gjatë orës së katërt të mësimit.
Rreth 6 autoambulanca kanë shkuar me urgjencë në oborrin e shkollës nga ku kanë nxjerrë nxënësit e helmuar. Pamjet e raportuara nga gazetarët lokalë janë kaotike, ku gjimnazistët shihen teksa dalin zvarrë nga ambientet e shkollës.
Prindër e të afërm janë përfshirë në panik për të parë nëse fëmijët e tyre janë helmuar apo jo. Tashmë nxënësit e helmuar janë në spital, ndërkohë që simptomat sipas tyre janë panik, dhimbje fyti, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje.
Nxënëse e helmuar
Dyshohet se nxënësit janë helmuar nga një nxënës i cili ka hedhur një ‘peper spray’ spraj, që lëshohet në ajër, duke përsëritur të njëjtën gjë që ndodhi rreth një javë më parë, ku disa nxënës u helmuan, pasi u ça tubi i kaldajës në klasë, gjatë kohës që po zhvillohej ora e laboratorit të kimisë. 7 nxënës, 2 mësues dhe sanitarja e shkollës u dërguan në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, pasi shfaqën probleme me frymëmarrjen.