Haziri: Kurti tash të sillet konform Kushtetutës, s’e largojmë Vjosa Osmanin nga partia

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri tha se Kuvendi i Kosovës është funksional dhe duhet t`i kryej detyrat e veta kushtetuese.

Haziri sot në një intervistë për RTK ka folur për zhvillimet politike në vend pas shkarkimit të qeverisë së Kosovës që solli një momentum të ri politik në vend. Ai tha se Kosova ka nevojë për stabilitet.

“Deputetët kanë zbatuar detyrimet kushtetuese. Ne kemi kërkuar që ministrat e LDK-së të kryejnë detyrat e tyre. Pa LDK-në nuk ka zgjidhje të problemeve në Kosovë”, deklaroi Haziri.

Ai tha se LDK-ja me kujdesë do t’i shoh hapat e ardhshëm. “Ne nuk do të lejojmë që të jemi në pozitën që e kishim më parë, pra deri mbrëmë. Tarifa i mori dy qeveri”, theksoi ai.

Haziri pohoi se Kurti duhet të sillet në bazë të kushtetutës.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, foli edhe për qëndrimet e Vjosa e Osmanit të cilat ishin në kundërshtim me vendimet e partisë. Sipas tij nuk do të ketë largime nga partia.

Ai foli edhe për situatën me koronavirus. “Ne do të vazhdojmë të punojmë në luftën ndaj pandemisë dhe stërkqes në Kosovë. Nuk duhet të merrem me debatet që po bëhen në rrjetet sociale” , tha ai.