Haxhiu kërkon publikimin e emrave të personave që testohen për koronavirus

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu propozoi disa pika që të votohen pasi të përfundojë debati sot. Ndër të tjera, ai bëri të ditur që PDK kërkon rritjen e pagave për punëtorët shëndetësor dhe votimin e ligjit anti-covid në afatin më të shpejtë kohor.

Haxhiu tha se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike duhet të autorizohet për publikim të emrave të personave që testohen, dhe atyre që dalin pozitiv.

“Të licencohet sektori privat për të bërë teste për Covid-19 duke i obliguar që të raportojnë rezultatet në baza ditore në IKShP dhe në Ministrinë e Shëndetësisë. Dhe autorizohet Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike që të bëjë publike emrat e personave që janë testuar dhe atyre që kanë rezultuar pozitiv, transparenca në këtë drejtim është interes publik sot dhe mundësi e ndje*kjes pen*ale për personat të cilët me test pozitiv me Covid-19 shke*lin kriteret e izolimit dhe masat mbrojtëse”, tha Haxhiu.

Ndër të tjera, PDK kërkoi decentralizim të testimeve dhe trajtimeve me Covid-19 duke mbështetur komunat në menaxhim të situatës me plan konkret, si dhe angazhim të spitaleve private në menaxhim të situatës duke bërë mobilizim të të gjitha kapaciteteve njerëzore dhe pajisjeve të nevojshme mjekësore.

“Të autorizohet komisioni parlamentar për shëndetësi dhe mirëqenie sociale që në afatin më të shpejtë kohor të sjell në Kuvend për votim ligjin anti-covid, duke falënderuar për punën e tyre gjithë stafin shëndetësor që po bën betejë me koronavirusin çdo ditë dhe pa kursyer asgjë, PDK kërkon urgjentisht nga qeveria e Kosovës që me vendim të veçantë t’i rritë pagat e profesionistëve shëndetësor ashtu siç ishte planifikuar me ligjin e pagave duke shtuar edhe rritjen sipas kërkesave të infermierëve dhe mamive, ky vendim duhet të përfshijë të gjithë zyrtarët shtetëror që po përballen çdo ditë me betejën me pandeminë Covid-19.

Gjithashtu, PDK kërkoi që Ministria e Shëndetësisë të punojë maksimalisht që të punësojë së paku edhe 1500 profesionistë shëndetësor në nivel të vendit, me qëllim të përballjes me Covid-19.