Hashim Thaçi nuk gënjen për Berishën, por për vete!


Sali Berisha i ka bërë boll dëme Kosovës. Jo se e urren atë, apo ka pasur ndonjë plan kundër saj. Sali Berisha nuk ka plan kundër askujt, përveç planit se si të marrë dhe të mbajë pushtetin dhe si ta rimarrë atë kur e humbet. Asgjë nga ato që shkruan Hashim Thaçi ndaj tij, nuk janë gënjeshtra. Janë gjëra që Sali Berisha i ka bërë jo se urren Kosovën, por se ka pasur në plan të parë pushtetin e tij.

I është dashur të gënjejë shumë herë për ato të vërteta të hidhura. Nëse ja hap arkivën e deklaratave të tij dhe për fat ai flet shumë, kurrë nuk i gjen dy deklarata njësoj për ato që ka bërë. Kur shfajësohej pse furnizoi me naftë Milosheviçin, thoshte se ma kërkuan shqiptarët e Kosovës, ndërkohë që nuk kishte kush t’ia kërkonte nga Kosova, pasi nuk furnizonte me naftë Kosovën, por Malin e Zi , që ishte pjesë e shtetit të Serbisë.

Në Kosovë maksimumi fuste naftë ndonjë shqiptar i komunitetit goran, që kishte vizë nga ambasada jugosllave në Tiranë. E vërtetë është se i përndoqi anëtarët e LPK në Tiranë, ashtu siç thotë Hashim Thaçi, e vërtet është dhe se e rrëmbeu dhe vrau Remzi Hoxhën, por jo kundër Kosovës, por për hall të vet. Ata e kishin kërcënuar me retorikën e tyre patriotike, se do ta bënin shembull si Avni Rustemi, Esat Pashë Toptanin dhe ai i vuri në listat e përndjekjes për hall të tij, nën dyshimin e rrezikshëm të asaj kohe, si enveristë”.

E vërtetë është se ai u konfliktua me Ibrahim Rugovën dhe tentoi ta zëvendësojë atë pa sukses, jo se i prishte apo ndreqte punë për Kosovën vizioni i Rugovës, por se ai nuk pranoi të përdorej prej tij si zjarrvënës për Kosovën për të shpëtuar pushtetin e tij të falimentuar në Shqipëri në vitin 1996-1997.

E vërtetë se ai e futi Shqipërinë në luftë civile, jo siç thotë se i duheshin hapur depot për armë në Kosovë, por se i duheshin armë që me mendjen e tij hakmarrëse, t’u kundërvihej shqiptarëve që po ashtu kishin rrëmbyer armët kundër tij. Edhe këtë hall të tij, ka tentuar ta paraqesë si vepër për Kosovën.

E vërtetë është se në vitin 1999, ka folur marrëzira për Kosovën, por jo se e urrente atë, por se ndjehej i izoluar, i papërfillur dhe donte që dikush të kthente kokën dhe nga ai. Historia më e ndritshme e kombit shqiptar, ajo e çlirimit të Kosovës, po parakalonte para syve të tij, pa e përfillur dhe kjo e çmendi. Ndaj thoshte dhe marrëzira çdo ditë, që nga komentet që bënte përditë për “Rambujenë”, e deri tek qëndrimet e paqarta rreth UÇK dhe LPK.

E vërteta është se atë e refuzoi Ibrahim Rugova të shkonte në Kosovë në qershor të vitit 2000, dhe ai i zemëruar deklaroi se do të shkojë në Kosovë, kur ajo të ketë një President legjitim shqiptar, por në fakt shkeli për herë të parë ditën që vdiq Ibrahim Rugova. Ai boll legjitim ka qenë deri atë ditë që vdiq, po nuk e priti kurrë atje.

Po aq e vërtetë është se kur u rikthye në pushtet, ai bëri siç thotë dhe Tritan Shehu “Rrugën e Kombit”, e cila është vjedhja më e madhe patriotike e tij dhe jo vepra më e madhe patriotike. Me atë rast rekrutoi dhe Lulzim Bashën si njeri të marrë peng prej tij në atë dosje dhe tentoi ta mbulojë veprat e tij historike të palavdishme kudrejt Kosovës, me një vepër gjeografike.

Hashim Thaçi nuk gabon kur ja numëron të gjitha këto. Sali Berisha është sjellë si tutor me Kosovën, si njeri që i është dashur Kosova për hallet e tij.

I vetmi problem i Hashim Thaçit është se po ja përmend Berishës këto sot, që ai është në të njëjtin hall me Berishën, sa herë që ka dashur të përdorë Kosovën. Dhe ai sot ka nevojëë të mbrojë një kauzë të rrezikshme që ka nisur duke sulmuar një politikan të rrezikshëm dhe fatmirësisht të dështuar.

Dhe Hashim Thaçi e do Kosovën si Berisha. E do t’i shpëtojë pushtetin e tij, qoftë dhe duke e rrezikuar atë. Ndaj nuk duhet të bëjnë garë me njëri tjetrin kush ja ka futur më shumë Kosovës për të qëndruar në pushtet.

Hashimi së paku ka shansin të shpëtojë nga përsëritja e fenomenit “Berisha” në raport me Kosovën. Jo vetëm se Thaçi është “fis Berisha” sipas ndarjes së vjetër fisnore, por se mbi të gjitha është përfaqësues i politikanëve që bënë Kosovën shtet të pavarur dhe nuk ka pse ta mbysë atë ende pa u rritur, për shkak të halleve të pushtetit të tij. Mund të jetë shumë më i lumtur si qytetar i një Kosove të pavarur në paqe, se sa si President i një Kosove, që rihyn në një luftë për hall të tij.