Hasani: Kishim dy zgjidhje, ose të kufizoheshim në Ramazan, ose të mbylleshim për Bajram dhe Pashkë

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani ka bërë të ditur, se masat që u miratuan sot nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ishin zgjidhje mes dy mundësive.

Kufizim i lëvizjes gjatë muajit të agjërimit – Ramazanit, ose mbyllje gjatë festës së Bajramit dhe Pashkëve.
“Duhej të mendonim në mënyrë proaktive. Jemi gjendur në mes të dy zgjidhjeve, ose do të kufizonim lëvizjen gjatë agjërimit, ose të mbylleshim për Bajram dhe Pashkë”, tha Hasani
Ai ka deklaruar, se institucionet shëndetësore janë të vetëdijshme se masat që u miratuan, janë më të ashprat që janë pritur nga qytetarët.

Por, shtoi, se kjo është për të mirën e qytetarëve.
“Jemi të vetëdijshëm, që masat që i sollëm sot, janë shumë më restriktive nga ajo që i pritën qytetarët. Por, me vetëdije i sjellim këto masa për ju, që këto festa t’i kaloni në qetësi dhe harmoni dhe të mos ndodh që të afërmit më të dashur të jenë të sëmurë apo të hospitalizuar dhe të përballeni me atë, që askush nuk e do, të humbisni betejën me virusin. Gjendemi në prag të festave, jemi të vetëdijshëm për këtë, por ju jeni të vetëdijshëm edhe për atë, se gjendemi në një situatë të vështirë”, tha më tej Hasani