Harrohet premtimi për rritjen e pagës së arsimtarëve në RMV

Pagat e arsimtareve në Maqedoninë e Veriut, janë ndër pagat më të ulëta në rajon. Derisa sipas të dhënave zyrtare, Maqedonia e Veriut, ka shpenzime më të larta në raport me vendet tjera të rajonit. Nga ana tjetër, nga Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, thonë se nuk është në rregull të ketë rritje të pagës minimale, derisa nga ana tjetër, pagat e tjera të mbeten të njëjta.

Ata shprehen në këtë mënyrë për shkak rritjes së çmimeve të produkteve bazë dhe paralajmërimet për rritjen e rrogës minimale. Sipas tyre, punonjësit në sektorin e arsimit dhe shkencës, në asnjë mënyrë nuk janë të kënaqur me pagat e tyre.
Rritja e çmimeve të produkteve bazë ushqimore, derivateve të naftës dhe energjisë elektrike ka shqetësuar të gjithë qytetarët. Ata thonë se çmimet e larta nuk do të mund t’i përballojnë sepse rrogat janë teje të ulëta. Rritje të çmimeve të produkteve ushqimore në vend pati para dy muajve.

Kriza ekonomike mori hov gjatë pandemisë, ku si pasojë e mbylljes dhe masave shtrënguese u shuan rreth 6,000 biznese ndërsa mijëra persona humbën vendet e tyre të punës. Shoqatat e arsimtareve deklarohen se mësuesit dhe punonjësit në sektorin e arsimit po shkelen dhe nuk po respektohen. Samet Jahiu, kryetar i shoqatës së arsimtareve Kumanovë-Likovë, për gazetën KOHA, ka deklaruar se derisa nuk nënshkruhet një marrëveshje kolektive mes Sindikatës së Arsimit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës rrogat e arsimtareve nuk do të rriten dhe as nuk do të përmirësohen kushtet.

“Shporta mesatare sipas Lidhjes së sindikatave për një familje 4 anëtarëshe është 38.000 denarë, ndërsa arsimtarët në arsimin fillor kanë rrogën 24.000 denarë dhe ata në arsimin e mesëm rreth 28.000 denarë. Nëse në një familje është vetëm një i punësuar, atëherë nga t’i marrin edhe mjetet tjera për t’i mbuluar harxhimet bazë”, shtoi ai. Sipas tij, derisa sindikata nuk po mbron interesat e arsimtareve, atëherë arsimtarët nuk kanë se çka të bëjnë më shumë.

“Procesi për rritjen e pagave në arsim po zvarritet, derisa ne jemi sektori më i madh në vend ne dhe po manipulohemi nga secila Qeveri që vjen duke na premtuar rritje të pagave”, nënvizoi Jahiu. Ndryshe, hera e fundit kur u rriten pagat e arsimtareve në Maqedoninë e Veriut, ishte pas marrëveshjes kolektive mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me Sindikatën e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga një janari, 20.000 arsimtar në arsimin fillor dhe 8.000 nga arsimi i mesëm filluan të marrin për 10 për qind paga më larta.