Haradinaj: Zgjedhjet do jenë dështim nëse s’e zgjedhim presidentin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherit edhe kandidati i kësaj partie për president, Ramush Haradinaj, ka thënë se nëse nga zgjedhjet e 14 shkurtit nuk arrihet të dilet me një emër për president të Kosovës, ato do të jenë dështim. Këto komente ai i bëri gjatë hapjes së fushatës së AAK’së, në qytetin e Prizrenit.

“Një ide themel vazhdon me qenë e jona se ne dëshirojmë të jetojmë në paqe me fqinjët tanë, por duke e mbrojte tonën. Prizreni është një qytet që na nderon. Qytet i vlerave kulturore, fetare e trashëgimisë. Prizreni ka sfidat e veta, i mungon hekurudha, lidhja me Tetovën, do të jemi bashkë për Prizrenin e Kosovën.

Më 14 shkurt kur votojmë suksesi i këtyre nuk do varet vetëm nga zgjedhja e Kuvendit por edhe të presidentit. Nëse nuk e zgjedhim presidentin, këto zgjedhje do jenë dështim”, ka thënë ai. Përveç AAK’së, fushatën zgjedhore për zgjedhjet je 14 shkurtit e kanë hapur edhe partitë e tjera politike në vend.