Haradinaj uron Turqinë për festën e Sovranitetit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka uruar Republikën e Turqisë me rastin e festës së Sovranitetit Kombëtar dhe të Fëmijëve.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se Turqia e ka mbështetur fuqishëm intervenimin e NATO-s për shpëtimin e popullit të Kosovës.
“Urojmë shtetin mik, Republikën e Turqisë për festën e Sovranitetit Kombëtar dhe të Fëmijëve, njëkohësisht përvjetorin e themelimit të Kuvendit të Madh Popullor.Turqia mbështeti fuqishëm intervenimin e NATO-s për shpëtimin e popullit tonë dhe vazhdon përkrahjen për Republikën e Kosovës në shtetndërtim dhe afirmim ndërkombëtar”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka falënderuar Turqinë për përkrahjen e vazhdueshme në konsolidimin e shtetit të Kosovës.
“Bashkë me urimet për paqe dhe prosperitet për popullin turk, shpreh falënderimin dhe mirënjohjen për përkrahjen e tyre të vazhdueshme në konsolidimin e shtetit të Kosovës”, ka përfunduar Haradinaj.