Haradinaj: Ramës ia prisha planin serbomadh, Kurti të mos e heqë taksën

Ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se reagimi i Edi Ramës është i kuptueshëm ndaj tij për faktin se ka bllokuar planin për ndarjen e Kosovës.

“I kuptueshëm frustrimi i Edi Ramës ndaj meje. E di që nuk ma fal dot që ia prisha planin serbomadh.Edi Rama pas kthimit nga Moska, vepron pa humbur kohë në zbatimin e këshillave të Lavrovit”, ka shkruar Haradinaj, në një reagim pasi Rama doli në krah të Kurtit.

Haradinaj ka dhënë edhe disa këshilla për Albin Kurtin në raport me Edi Ramën dhe taksën.

“Uroj që Kryeministri Kurti të vazhdojë rrugën time të bllokimit të shtegut të Edi Ramës e të tjerëve për copëtimin e Kosovës dhe fuqizimin e Serbisë e Rusisë në rajonin tonë, duke mbajtur taksën deri në kontratën finale për njohje. Të tjerat janë tashmë histori”, ka shtuar ai.

Sot, Shefi i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka shkruar në Twitter se Ramush Haradinaj me paturpësi po e sulmon Albin Kurtin. Ka thënë se ish-Kryeministri i Kosovës po baltos njeriun që po e zhbllokon Kosovën me heqjen e taksës ndaj Serbisë.

“Me paturpësi Ramushi ka nisur baltosjen e Albin Kurtit. Albini mund të jetë gjithçka por kurrë nuk është shërbëtor i Serbisë! Uroj të mos tutet prej sulmeve të ulëta për heqjen e taksës që shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës!”, ka shkruar Rama, në twitter.

Reagimi i Ramës ka ardhur pasi Ramush Haradinaj akuzoi Albin Kurtin se ka bërë marrëveshje me Aleksander Vucicin për heqjen e taksës. Ka thënë se Kurti është dorëzuar herët ndërsa ka paralajmëruar veprime edhe më të këqija nga Kryeministri i ri i Kosovës.

Gjithë këto akuza, Edi Rama i ka quajtur idiotësi. Ka thënë se ideja se përmes taksës Serbia do ta njohë Kosovën është e parealizueshme.

“Asgjë s’i ka bërë më shumë dëm Kosovës se sa ajo taksë e kthyer në një thirrje për vëmendje ndaj shkeljeve të CEFTA’s nga Serbia, në një litar në fytin e Kosovës”, ka shtuar Rama.

Kosova vendosi taksën në fund të vitit 2019. Prej atëherë ka nisur presioni ndërkombëtar për heqjen e saj. Ramush Haradinaj dha dorëheqje duke mos pasur mundësi t’i bëjë ballë kërkesave të ndërkombëtarëve.

Albin Kurti ka paralajmëruar se taksa hiqet tërësisht nga 1 prilli ndërsa pjesërisht nga 15 marsi i këtij viti.

Lëvizjet e Kurtit erdhën pas kërkesave të SHBA’së. Pavarësisht vendimit të fundit të Kurtit, zyrtari amerikan Richard Grenell tha se SHBA nuk pajtohet me heqjen e taksës me kushtet. Madje, tha se Kurti po bën gabim serioz me këto veprime.

Në anën tjetër, Hashim Thaçi, ka vazhduar të kërkojë heqjen e taksës. Ai aktualisht ndodhet në vizitë në Amerikë.