Haradinaj: Presidenti nuk e ka besimin për të folur për kufijtë


Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, ka thënë të mos ndihet hisedar në rast se Kosovës i ndryshohen kufijtë nëpërmjet fazës përfundimtare të dialogut me Serbinë.

Kjo, pavarësisht se, për ta përfaqësuar Kosovën në këtë proces, Haradinaj i ka dhënë mbështetje presidentit Hashim Thaçi, i cili është ideator i “korrigjimit” të kufijve, shkruan sot Koha Ditore.

“Janë dy etapa. Njëra është dhënia e besimit presidentit të vendit për ta përfaqësuar vendin në proces. Dy është materia, e cila është. Presidenti i vendit e ka besimin tim për marrjen e njohjes, pra për bisedat për njohjen reciproke me Serbinë”, ka thënë kryeministri Haradinaj, tek është përgjigjur në lidhje me këtë çështje.

“Për temën e kufirit e të territorit nuk e ka këtë besim. Kuptohet që nuk jam hisedar i një teme të tillë”.

Një rezolutë e Kuvendit, e cila është në fuqi, e autorizon Qeverinë që ta përfaqësojë Kosovën në dialogun me Serbinë.

Mirëpo pa marrë autorizim nga Kuvendi, presidenti Thaçi ka vendosur ta përfaqësojë vendin në fazën finale të dialogut, nëpërmjet së cilës synohet që me Serbinë të mbërrihet një marrëveshje ligjërisht detyruese. /kd/.