Haradinaj për marrëveshjen me Serbinë: Me një kryeministër tjetër do të ishte më e mirë


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se ka kritika të mëdha për kryeministrin, Albin Kurti, në mënyrën se si është zhvilluar procesi i dialogut.

Haradinaj, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se marrëveshja me Serbinë ka mundur të jetë edhe më e mirë me një kryeministër tjetër.

Megjithatë, e konsideron si arritje të madhe për Kosovën propozimin për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, transmeton Klankosova.tv.

“Marrëveshja ka njohjen edhe de-jure në planin ndërkombëtar, por nuk e ka njohjen bilaterale me Serbinë. Kjo e arritur është falë aleatëve tanë dhe me siguri reflekton realitetet në rajon e Kosovë. Kjo është një arritur e madhe e aleatëve tanë, kuptohet duke e reflektuar realitetin e Kosovës por edhe të Serbisë, por edhe të zhvillimeve globale, si e arritur e tillë është arritje e madhe për Kosovën”.

“Me siguri, ka pasur mundësi tjera, me Qeveri tjetër e kryeministër tjetër, por në rrethanat në të cilën ndodhemi si Kosovë, është një arritje e madhe”, u shpreh Haradinaj.

Tutje, Haradinaj është shprehur i bindur se marrëveshja do të ratifikohet në Kuvend.