Haradinaj për idenë e Shqipërisë së Madhe: Nuk po flasim të bashkohet edhe Maqedonia e Mali i zi

Bartësi i listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, njëhërit kandidat për President, ka përsëritur që arsyeja e vendosjes së taksës ndaj Serbisë, ishte qasja e saj për ta dobësuar Kosovën. Haradinaj thotë se e ka vlerësuar Kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti, për të ruajtur një normalitet për shkak të gjendjes në pandemi, por shprehet se nuk ka ndonjë pritshmëri tjetër në raport me të.

”Serbia filloi dobësimin e Kosovës për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”. ”Taksa e ndryshoi gjendjen. Taksa tregoi ku është kufiri, kush është sovran dhe kush menaxhon me cilën pjesë. Nuk kam qëllimin me u kthy shumë prapa me këto qëllime”. ”Unë s’kam pasur pritje të një suksesi të jashtëzakonshëm, unë Avdullah Hotin, e kam quajt kryeministër të normalitetit”.

Haradinaj thotë se kur flet për idenë e bashkimit me Shqipërinë, nuk bëhet fjalë për Maqedoninë e Malin e Zi. ”Nëse shqiptarët duan të bashkohen, ne nuk po flasim të bashkohet Maqedonia dhe Mali i Zi shqiptar”. ”Po flasim shumë thjeshtë, dy shtete që janë Shqipëria dhe Kosova. Kosova shtet i njoftur prej 100 e sa vendeve, GJND-ja ka njohur me këta kufij, nuk e lypim aminin prej Serbisë. Koncepti i mëhershëm ka qenë me e dorëzu Kosovën, me e lodhë”.

”Unë i them Serbisë, ideja jote me na lodhë si Kosovë – skemi me mbetë konflikt i ngrirë, s’keni me na nda, kemi me u bashku me Shqipërinë. A guxon Serbia me sulmu veriun me tankse? – nuk guxon ta sulmojë”.
”Sepse kufijt janë vendos njëherë dhe s’guxon askush t’i prek. Nuk janë veç të tyre, e tontë, por janë mes ndërkombëtarëve. Unë e di që është pak e ndjeshme çka kam folë. Por unë s’mund pa kufi t’i them popullit tënd, ‘’po i presim’’. E kënd po e presim?. Vuçiqin. E nëse Vuçiqi nuk kthjellet njëherë, kjo ngjason me do situata që kam kalu”.

”Kjo mund të jetë edhe shumë me interes edhe për palët tjera. Nëse Amerika edhe BE-ja, nuk gjejnë çelësin që Spanja me na njohur, Sllovakia, Rumania, Greqia – nëse Berlini se gjen? Çka do bëjnë ata? Me Serbinë s’mund të na bëjnë bashkë më. Kufi s’ka me u hapë më sepse po u hap veriu duhet të hapet në gjithë rajonin”.

”Dallon prej korrigjimit të kufijve, e dallavereve që kanë qenë më herët. Ky është koncept tjetër, po them që dua të hy në NATO si jam sot, sepse e kam në koncept të sigurisë dhe i takoj NATO-s. Por nëse nuk gjendet zgjidhja, unë s’mund të pres pakufij sepse ashtu e servisoj politikën e Rusisë për Ballkan. Sepse në këtë mënyrë nëse nuk e nxitoj, nuk e përshpejtoj anëtarësimin e Kosovës në NATO, unë e ndihmoj Rusinë”- shprehu Haradinaj.