Haradinaj pejanëve: Ju po ia jepni Kosovës komandantin e Ushtrisë së Kosovës

Kryetari i AAK-së dhe kandidati për President, Ramush Haradinaj, ka mbajtur sot tubimin qendror në Pejë. Para qytetarëve të Pejës, Haradinaj, që është edhe kandidati për President, ka folur edhe për synimet e tij dhe të partisë që ai drejton.

“Aleanca është parti e parë në Pejë e Gjakovë. Për Deçanin e Junikun s’po ju flas, udhëheqim edhe në Suharekë e Rahovec. Në Klinë Aleanca është parti e parë, por kemi rritje edhe në Podujevë, Malishevë, Drenas, Skenderaj, kemi rritje në Gjilan dhe në Ferizaj. Në Kamenicë e Kaçanik kemi rritje të votës, në Lipjan e Shtime”, ka theksuar Haradinaj.

“Ata që po thonë se Aleanca ka këtë rezultat e atë rezultat, unë po ju them nuk po na njihni, nuk po na merrni vesh, nuk jeni kah jetoni në Kosovë, shihemi më 14 shkurt, në rezultatin tonë”, shtoi Haradinaj.

“Jo vetëm që do të kemi rritje, e do të jemi shumë në parlament, por do të jemi edhe në qeveri po po ashtu do të udhëheqim vendin me Presidentin e vendit. Pra, Pejë, ju po ia jepni Kosovës edhe njëherë komandantin e Forcave të Armatosura, urime”, tha Haradinaj në fjalimin e tij.