Haradinaj: Pajtohemi me Serbinë, nëse na njeh si shtet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se Kosova do të pranojë pajtimin me Serbinë në këmbim të njohjes. Sipas tij, kjo nuk do të thotë se do harrohen krimet e bëra. Kryeministri ka folur edhe për anëtarësimin në INTERPOL. Haradinaj tha se pajtimi nënkupton me kalu mbi të zhdukurit, të dhunuarit e të vrarët, por shpjegoi si duhet bërë kjo.

“Njohja.. çka mund të jep Kosova që të arrihet kjo marrëveshje, një pajtim, se tjetër nuk kemi çka japim. Pajtimi nuk është pak, do të thotë me kalu mbi dhimbjen tonë, mbi të zhdukurit, mbi të vrarët, mbi dëmet, mbi dhunimet seksuales, me ekonomi të shkatërruar e të plaçkitur, e kur ne të pajtohemi, po japim shumë, më shumë se që dikush kish mujt me dhanë. Nuk po themi me harru, se nuk e bëjmë kurrë, por ne mund të pajtohemi ndonjëherë, për njohje. A është ky viti për këtë? Nuk mund të ngutem të them për këtë, por ne kemi kërkuar ndihmën e miqve tanë dhe po ju tregoj që Kosova kur qëndron pas Amerikës, e bënë për interesin e vet”, tha ai.

Haradinaj nuk tha nëse këtë vit do të ndodh pajtimi dhe njohja, por tha se ky është viti kur Kosova duhet anëtarësohet në Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale INTERPOL. “Çdo vend që e pengon Kosovën të anëtarësohet ne INTERPOL është ka e ndihmon luftimin e krimit trans-nacional. Është gabim. Kush donë me luftu krimin trans-nacional e ndihmon Kosovën me u anëtarësu në INTERPOL. Këtë vit është koha kur duhet të vendoset kjo punë. Jam thellë i bindur që plotë vende kanë me kërku anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL se ashtu luftohet krimi trans-nacional që është i rrezikshëm, është kërcënim”, tha ai.

Haradinaj ka kërkuar nga shtetet mike të ndihmojnë Kosovën të anëtarësohet në Interpol, derisa për anëtarësimin e Kosovës në OKB tha se kjo çështje duhet mbyllet shpejt./TV21