Ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj pas intervistimit nga Prokurorët e Hagës tha për mediat se është mbrojur në heshtje duke mos u përgjigju në asnjë pyetje të hetuesve. Ndërkohë që thotë se nuk pret t`i ngritet aktakuzë nga Specialja.
“Nuk është detyra jem me ba kësi parashikime, nuk pres aktakuzë sepse i di detyrat e mija. Duhet me shku në zgjedhje, mirëpo zgjedhjet kanë kosto. E kemi kriju një precedent të ri që i detyron edhe shtetet tjera me na respektu”, ka thënë ai.
Sidoqfotë ftesën nga specialja Haradinaj e ka konsideruar ndërhyrje të madhe për Kosovën. Sipas tij, fati është në anën e Kosovës pasi që në shtet ka stabilitet politik.
“Është një ndërhyrje e madhe për Kosovën. Jemi detyru në momente kur është dashtë me e mbajt fokusin në gjëra tjera me dhanë dorëheqje. Për fat të mirë ka stabilitet në Kosovë dhe është respektua ligji dhe kushtetuta. Partitë politike garojnë, nëse populli me jep besim e vazhdoj punën nëse jo u uroj fat të tjerëve”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj nga prokurorët e Hagës është marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit. Ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të premten, pasi tha se dëshiron të shkoj në Hagë si qytetar e jo si përfaqësues shteti.