Haradinaj ngrit dilema për intervistën e Albin Kurtit nga burgu i Serbisë

Një konferencë e Albin Kurtit nga burgu i Pozharevacit të Serbisë, e dhënë pasi ishte arrestuar nga policia serbe, ka ngritur dilemat tek kundërshtarët politik të tij, se si ishte organizuar ajo.

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ngritur dilema se si i ishte organizuar vetëm Kurtit kjo konferencë në burgjet e Serbisë.

“Qasja majtiste e Kurtit është pro-sllave. I vetmi zotëri Kurti ka dhënë intervistë nga Burgu në Serbi. Ai ka mundur të përfaqësoj UÇK-në nga Prishtina. I kanë rrah shumë figura, e kanë mbytur Fehmi Aganin pa qenë UÇK. Pse me marrë zëdhënësin e UÇK-së edhe me dalë në intervistë”.

“A e njihni një të burgosur nga koha e Rankoviqit e këndej që ka dhënë intervistë nga burgjet e Serbisë. Adem Demaçi ka qëndruar 28 vjet në burg, a ka dhënë intervistë, a ka mundur Ukshin Hoti të jap intervistë, cili ka dhënë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka pyetur se si mund të jetë i privilegjuar vetëm Albin Kurti në burgjet e Serbisë.

“Cili i burgosur politik, kundërshtues i Serbisë ka dhënë intervistë në burgje. Ndërsa, i vetmi Albin Kurti me qenë i privilegjuar që të jap intervistë nga burgjet e Serbisë. Intervista mund të jetë edhe rastësi, por si ka mundësi të i ndodhë atij që ashtu të dalë edhe të japë intervistë. Mund t’i mashtrojë servilët e tij, por jo një popull”, theksoi Haradinaj në Klan Kosova.