Haradinaj: Masakra e Srebrenicës nuk e ndali Millosheviqin të kryejë masakra edhe në Kosovë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar masakrën e Srebrenicës të kryer nga regjimi i Serbisë 28 vjet më parë në Bosnjë e Hercegovinë.

Haradinaj ka thënë se kjo masakër nuk e ndali regjimin e Millosheviqit të kryejë maskra tjera në Kosovë me përmasa të një gjenocidi të ri.

Kujtojmë sot mijëra jetë të shuara në Srebrenicë, nga aparati shtetëror i Millosheviqit. Njerëz të pambrojtur e pa asnjë faj, përfshirë edhe fëmijë, gra e të moshuar, pësuan nga projektet shoviniste të realizuara përmes gjenocidit. Masakra e Srebrenicës, 28 vjet më parë, fatkeqësisht nuk e ndali regjimin e Millosheviqit të kryejë masakra të tjera në Kosovë, me përmasa të një gjenocidi të ri. Qoftë i përjetshëm kujtimi për viktimat”, ka shkruar ai Facebook.

Sot shënohet 28-vjetori i Masakrës së Srebrenicës, masakra më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Gjenocidi i Srebrenicës ose Tragjedia e Bosnjës është një krim lufte i kryer në korrik të vitit 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u vranë më shumë se 8,000 boshnjakë, kryesisht burra dhe djem të moshës 12 deri 77 vjet.