Haradinaj: Kurti po propagandon, vendimin për mallrat serbe tentoi ta mbulonte me pensionet

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka komentuar ndryshimin e masës së sigurisë në pikën kufitare në Merdar, me ç’rast e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po bën koncensione me Serbinë.

Ai ka thënë se ky vendim ka qenë përsëritje e vendimit për heqjen e tarifës 100% që Haradinaj e ka vendosur në vitin 2018.

“Ky është koncesioni i radhës i Albin Kurtit, i cili popullit i shet propagandë e Serbisë i bën koncesione. Ai bën koncesione pasi paraprakisht i bën dëme të rënda Kosovës e pas koncesionit dëmi i mbetet Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, vendimin për heqjen e masave për mallrat serbe, Kurti u mundua ta mbulonte me vendimin për rritjen e pensioneve.

“Koncesionin e djeshëm tentoi ta mbulojë me 20 euro lëmoshë për pensionistët, por si shoqëri e kemi obligim ta ballafaqojmë me propagandën e tij dhe dëmet që po i bën Kosovës. E thënë edhe më herët, Kurti nuk i shërben Kosovës”, ka potencuar kryetari i AAK-së.