Haradinaj kërkon dorëheqjen e Kurtit: Është i vogël t’ia ndërrojë orientimin popullit të Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherazi edhe ish-kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj ka reaguar pas sanksioneve të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës, ku shkas u bë ngjarja e fundit në veri të vendit, duke thënë se presidentja e kryeministri “nuk kanë lënë sukses pa e kthyer përmbys”.

Haradinaj tha se sanksionet e SHBA-së janë alarm për sigurinë tonë nacionale dhe se miqësitë dhe aleancat me aleatët tanë nuk mund t’i rrëzojë kryeministri Kurti.

“Përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi i NATO-s “Defender Europe 2023” është alarm për sigurinë tonë nacionale. Duhet të jesh shumë dritëshkurtër që në këtë kohë kaq delikate, të armiqësohesh me krejt botën demokratike? Shtetet investojnë me dekada për të krijuar miqësi dhe aleanca. Në rastin tonë, del një Albin Kurti e tenton t’i rrëzojë ato. Ka pasur edhe të tjerë në historinë tonë që kanë dashur t’i përmbysin këto aleanca, por Kosova ka qenë më e madhe se sa vogëlsia e tyre dhe ka triumfuar. Ajo nuk ka alternativë tjetër përpos të triumfojë edhe këtë herë”, tha ai.

Haradinaj gjithashtu ka thënë se Kurti është i vogël për t’ia ndërruar orientimin Kosovës dhe se i njëjti “duhet të japë dorëheqje qysh sot”.

“Populli i Kosovës që është populli më properëndimor i kontinentit, do të dijë t’i ruajë miqtë dhe orientimin e vet. Është i vogël Albin Kurti t’ia nderrojë orientimin Kosovës dhe popullit të saj. Ai e ka vetëm një shans, që njëherë në jetën e tij t’ia bëjë një të mirë Kosovës! Të japë dorëheqje qysh sot”, përfundoi Haradinaj. (https://www.enov8.com/)