Ajo tha se nuk do lejohet që ambasada e Kosovës në Jerusalem të zhvendoset ashtu siç po kërkon Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas saj, ata që duan të kundërtën e kësaj le t’i bashkohen dy shteteve armike të Kosovës, Serbisë dhe Rusisë.
Shkrimi i plotë nga Haradinaj-Stublla:
NUK DO T’I LEJOJMË!
Njohja nga Izraeli është një arritje e jashtëzakonshme për shtetësinë e Kosovës, pas disa vitesh fushate agresive ilegale të Serbisë. Kjo erdhi falë përkushtimit të administratës Amerikane Trump, dhe përkrahjes së fuqishme tani nga administrata e re Biden/Blinken. Rreshtimi i përhershëm i Republikës së Kosovës me Amerikën, gjithmonë na është shpërblyer me forcim, zhvillim, e konsolidim të shtetësisë sonë brenda dhe jashtë, dhe kjo për qytetarët është fakt i mirënjohur dhe i pakontestueshëm.
Njohja nga Izraeli – ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet për të bërë paralele të Kosovës me raste të tjera në botë, për të ushqyer argumentet e shteteve mosnjohëse. Kosova nuk është as Palestinë, as Kataloni, as Nagorno-Karabakh, as Oseti Jugore, por ashtu siç kemi thënë gjithmonë: SUI GENERIS – RAST UNIK.
Ky konfirmim, hap horizonte të reja me shtete mos-njohëse në të gjitha kontinentet, për arritjen e njohjes universale dhe etablimit final të RKS në shoqërinë ndërkombëtare, dhe DO TË VAZHDOJMË ME INTENSITET TË SHTUAR PËR ARRITJE TË REJA.
Sa i përket hapjes së Ambasadës në Izrael, Republika e Kosovës nuk ka pasur më parë përfaqësi diplomatike në Tel Aviv dhe nuk bëhet fjalë për zhvendosje nga Tel Avivi në Jeruzalem. Kosova respekton praktikat dhe ligjet e shtetit pritës gjatë procesit të themelimit të misionit diplomatik, por edhe me krenari rreshtohet pas politikës së jashtme Amerikane.
Me këtë, Kosova ka përmbushur pjesët kryesore të zotimeve të Uashingtonit, dhe ka forcuar edhe më tej lidhjen e saj me Amerikën. Veprimet ekspeditive të MPJD-së së Kosovës për të formalizuar njohjen me Izraelin dhe vendosur ambasadën në Jeruzalem para Serbisë, është ndryshim i madh paradigme, që zbardh 2 të vërteta për Serbinë:
1. Shpërfaqjen e saj si shtet që NUK u përmbahet marrëveshjeve që nënshkruan (Marrëveshja e Uashingtonit); dhe
2. Mos-sinqeritetin e saj për partneritet të ri me Amerikën.
Ata që duan ta largojnë Kosovën nga Amerika, duan ta bëjnë Kosovën si Serbia – që nuk i respekton marrëveshjet e zotimet e marra përsipër, dhe shtet që i kundërvihet Amerikës kundër vetvetes. NUK DO T’I LEJOJMË!
Ata që po synojnë zhbërjen e vlerës themelore të demokracisë së Kosovës – pluralizmit – përmes zaptimit të të gjitha institucioneve të shtetit, duan që Presidenti edhe Krye-Parlamentari të kontrollohet nga Kryeministri – dhe këtë NUK DO TA LEJOJMË!
Ata që na e sollën ‘çnjohjen’ nga Sierra Leone, dhe skandalin me Xhamajkën, tani duan që ta zhbëjnë edhe njohjen nga Izraeli, dhe miqësinë e përhershme e të shenjtë me SHBA. NUK DO T’I LEJOJMË! Kosova është vend demokratik! Jemi këtu për të garantuar se Kosova do të vazhdojë të mbetet vend demokratik e jo autoritar, përkundër pangopësisë së disave për të pushtuar krejt pushtetet. Mbetemi këtu për të forcuar e lartësuar shtetin. Ata që duan të kundërtën, le t’i bashkohen Serbisë e Rusisë!