Haradinaj, 27 mijë euro për librat që i dhuroi, disa i mbajti në zyrë e disa në makina


Në shtëpinë e tij e në makinë i ka mbajtur ish-kryeministri Ramush Haradinaj një numër të dhuratave e të cilat ua ka dhuruar personave e figurave të ndryshme me të cilat është takuar.

Si rrjedhojë e kësaj, numri i tyre dhe të dhënat e atyre që u janë dhuruar nuk janë evidentuar, raporton KOHA.

Në dispozicion të tij Haradinaj ka pasur disa ekzemplarë të librit “Portrete të Skënderbeut”. Gjatë dy vjetëve sa ishte kryeministër, Haradinaj ka blerë rreth 1 mijë e 450 copë nga ky libër.

Një kopje e këtij libri ka kushtuar 11 euro e 70 centë, e që në total për 1 mijë e 450 copa të blera, nga buxheti i shtetit janë paguar 16 mijë e 965 euro, shto këtu edhe 10 mijë euro dhënë autorit të librit, Luan Tashi, për të drejtën e botimit.

“Disa ekzemplarë të këtij libri/dhuratë janë dhënë në dispozicion të kryeministrit, p.sh: janë vënë te shtëpia e kryeministrit apo në veturë, të cilat në takime të rastit, kur stafi nuk ka qenë i pranishëm, mysafirëve që ka pritur në rezidencën e tij apo gjatë vizitave në terren, gjatë vikendeve, në aktivitete dhe takime pune, u janë dhuruar personaliteteve apo ndonjë familjeje, por që teknikisht nuk ka pasur mundësi të regjistrohen”, thuhet në dokumentin që ka siguruar KOHA pas kërkesës për qasje në dokumentet zyrtare.

Në vlerë prej 3 mijë e 600 eurosh, Haradinaj ka ndarë edhe medaljen “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”.

Vlera e kësaj medaljeje, e cila është e punuar në Shkup, është 60 euro.

Të dhënat e dhuratave të ndara nga ish-kryeministri Haradinaj i janë bërë të ditura KOHËS pas një kërkese për qasje në dokumente zyrtare. Të dhënat e plota, ashtu siç i ka kërkuar televizioni, janë marrë vetëm pas një ankese në Zyrën e Avokatit të Popullit.

Në bazë të këtyre të dhënave, përveç 60 copave sa ka ndarë Haradinaj, rreth 10 medalje i ka mbajtur në makinë.

“Në raste të caktuara, për shkak të dinamikës së punës së Kryeministrit, disa medalje (5 ose 10) copë janë vënë në dispozicion-në makinë, dhe në ndonjë aktivitet gjatë punës i është dhuruar një personi, familjeje, por që teknikisht nuk ka pasur mundësi të regjistrohet me letër”, thuhet tutje në dokument.

E dhënia e dhuratave të blera me para të taksapaguesve dhe mosevidentimi i tyre askund, është kritikuar nga njohës së Protokollit.

KOHA ditë më parë ka raportuar se në mesin e dhuratave të bëra nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj është edhe Harta e Artë e Kosovës.

Nga 35 prej tyre sa Haradinaj ka dhuruar gjithsej, 13 janë bërë dhuratë në dasma e ditëlindje. Në mesin e personave që morën Hartën e Artë të Kosovës dhuratë nga kryeministri me rastin e martesës së tyre janë edhe familjarë të bashkëpartiakëve të kryetarit të AAK-së.

Ndarja e dhuratave nga kryeministri nuk është e rregulluar me ligj. Zyra e tij ka thënë për televizionin se për këtë i janë referuar nenit 11 të Ligjit të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publikë.

Megjithatë, ky nen specifikon vetëm dhuratat që mund t’i pranojë një zyrtar publik e jo ato që mund t’i ndajë me para të shtetit, përpos pikës 9 të këtij neni, e cila parasheh që dhuratat protokollare si simbole shtetërore e të tjera mund të përdoren vetëm gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.