Hapja e kufijve, me test apo pa test në Maqedoni, gati protokollet

Vendet në rajon kanë filluar me hapjen e kufijve. Por një vendim të tillë për hapjen e kufirit me 1 qershor ka marrë edhe Maqedonia e Veriut.

Kufinjtë e Maqedonisë së Veriut kundrejtë shteteve fqinje duhet të hapen më 1 qershor.

Për shtetasit fqinj që hyjnë në vendin tonë nuk do të ketë karantinë 14 ditore, dhe nuk duhet të jenë të testuar për Covid-19.

Këtë propozim e dhanë ekspertët e Komisionit për sëmundje infektive në mbledhjen e djeshme.

Drejtori i Qendrës për Shëndet publik Arben Ziberi thotë se në kufi duhet të tregojnë testimin PCR qytetarët që vijnë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Jo, nuk do të ketë izolim, apo karantin për personat që do të jenë nga Shqipëria apo nga shtetet fqinje. Personat që vijnë nga shtetet e Unionit Evropian ngel të shohim se si do të rrjedhë më andej, për momentin vlen se qytetarët që udhëtojnë nga vendet evropiane u nevojitet për momentin që të hyjnë në RMV test PCR, i cili nuk është më i vjetër se 72 orë dhe ata persona nuk shkojnë në karantinë shtetërore por në vetëizolim apo në shtëpitë e tyre”, tha drejtori i QSHP Arben Ziberi.

Komisioni për Sëmundje Infektive zyrtarisht nuk ka miratuar protokoll përfundimtar se si dhe në çfarë mënyre qytetarët do të largohen ose do të hyjnë në vend.

Alsat mëson se Komisioni ende po diskuton nëse do të miratohen testet e detyrueshme për koronavirus. Për dallim nga ne, fqinjët kanë publikuar tashmë protokoll që qytetarët duhet ta respektojnë.

Serbia tashmë ka hapur kufijtë e saj, por duke ndryshuar kushtet. Tani nuk ka nevojë për test të koronës ose leje speciale për hyrje në vendin e tyre.

Shqipëria ka vendosur për hapjen e kufijve më 1 qershor, kurse turistët do të jenë në gjendje të shkojnë në plazhe më 10 qershor, kur të hapet i gjithë bregu.

Mali i Zi gjithashtu ka vendosur t’i hapë kufijtë, por vetëm për disa vende që plotësojnë kriteret, respektivisht të kenë 25 të infektuar në 100.000 banorë. shtetasit e Maqedonisë, Kosovës dhe Serbisë nuk janë në listën e Malit të Zi për hyrje në vendin e tyre.

Autoritetet në Serbi reaguan menjëherë ndaj këtij vendimi, duke thënë se ata nuk do të miratojnë masë reciproke, por u bëri thirrje qytetarëve të tyre që të mos shkojnë në një shtet ku nuk janë të mirë se ardhur.

Kosova ende nuk ka marrë një vendim konkret për hapjen e kufijve.

Ndryshe, pothuajse të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian do t’i hapin kufijtë e tyre më 15 qershor, me rekomandim të Komisionit Evropian.