Pasagjerët do të duhet të arrijnë në aeroport të paktën tre orë para fluturimit të tyre, të mbajnë maskë mbrojtëse në çdo moment, të ruajnë distancën fizike dhe të kenë kujdes të shtuar në higjienë personale, këto janë disa nga rregullat e reja të udhëtimit, që priten të zbatohen pas 1 korrikut në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit dhe Aeroportin e Ohrit.
Të dy aeroportet në vend janë mbyllur që nga 16 dhe 19 marsi si pjesë e masave për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
Siç njoftojnë nga stafi menaxhues i Aeroportit të Shkupit, për fluturime, hyrja e vetme e hapur për udhëtarët do të jetë hyrja “Departures C”, ku para se të hyjnë, secili pasagjer do të duhet të vendos maskë mbrojtëse, duhet të tregojë biletën e aeroplanit (të shtypur ose në telefon) dhe më pas të kalojë në vendin e posaçëm për dezinfektim të këpucëve dhe të dezinfektojë duart në vendet speciale për dezinfektim pa kontakt të vendosura në hyrje të ndërtesës.